... Nami.al

“Toyota Yaris”, GJKKO dërgon në gjyq dosjen ndaj Astrit Vladit dhe Eriona Daupajt

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka vendosur kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj Astrit Vladit dhe ish-oficeren së BKH-së, Eriona Daupajn të përfshirë në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”.

Sipas vendimit, të pandehurit do të përballen me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme për një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin dhe ndikimin e paligjshëm në funksione publike.

Astrit Vladi akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim në disa raste, si edhe për “korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Ndërkohë, Eriona Daupaj përballet me akuza për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”, si dhe “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Çështja tashmë do të shqyrtohet në themel nga gjykata, ndërsa SPAK pritet të paraqesë provat dhe argumentet e saj në procesin gjyqësor që vijon.