...
Nën Antarktidë gjendet një botë e tërë e fshehur. Një studim dhe hartë e re për Antarktidën hedh dritë mbi të panjohurën, duke zbuluar kodra, male, luginë dhe kanione të groposura nën 4 km trashësi akullnajore.
Deri më sot, ndoshta njerëzimi dinte më tepër mbi sipërfaqen e planetit Mars sesa atë që fshihej nën akujt e kontinentit të akullt të Polit Jugor. Një grup ndërkombëtar shkencëtarësh, duke u bazuar në pamjet satelitore me rezolucion të lartë, përfshirë analizat fizike të lëvizjes së akullnajave, ka mundur të hartëzojë peisazhin nën Antarktidë.
Kjo metodë ka zbuluar mijëra kodra dhe kreshta të papara më parë, me gjerësi që variojnë nga 2 deri në 30 km. Ndër zbulimet më mbresëlënëse është një kanal gjigant nën akullnajë, rreth 400 km i gjatë dhe 6 km i gjerë, që përshkon pellgun Maud.
Gjithashtu, këto analiza të hollësishme, të parat të realizuara, janë të rëndësishme jo vetëm për të kuptuar çfarë fshihet poshtë bardhësisë pafund, por edhe sepse format e terrenit nën akullnajë ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën sesi lëvizin akujt dhe se si Antarktida mund të reagojë ndaj rritjes së temperaturave.
Majat e maleve mund të ndikojnë si frena të lëvizjes së akujve dhe shkëputjes së tyre, ndërsa zonat luginore të thella mund të favorizojnë rrëshqitjen e masave akullnajore drejt detit.
Shtresa e Akullit të Antarktidës përfaqëson masën më të madhe të akullit në Tokë dhe përmban rreth 70 për qind të ujit të ëmbël të planetit. Trashësia mesatare e saj vlerësohet rreth 2.1 kilometra, ndërsa në disa zona arrin deri në rreth 4.8 kilometra. Megjithatë, kontinenti nuk ka qenë gjithmonë i mbuluar nga akulli.
Tiparet e tij nënglaciale u formësuan fillimisht përpara se Antarktida të mbulohej nga akulli më shumë se 34 milionë vjet më parë dhe u transformuan më tej nga lëvizjet dinamike të shtresës akullnajore. Në periudha të hershme gjeologjike, Antarktida ishte e lidhur me Amerikën e Jugut, përpara se ndarja e kontinenteve të ndodhte si pasojë e lëvizjes së pllakave tektonike.
Harta e re nxjerr në pah një kontrast të fortë me njohuritë e mëparshme, pasi deri tani sipërfaqja e Marsit ishte e hartuar më mirë sesa terreni nën akullin e Antarktidës. Tradicionalisht, hartëzimi i këtij peizazhi është bërë përmes radarëve të montuar në avionë ose të tërhequr nga mjete që lëvizin mbi dëborë, por këto matje kanë lënë shpesh boshllëqe të mëdha mes të dhënave, shkruan Reuters.
Sipas autores kryesore të studimit, glaciologes Helen Ockenden, këto hapësira mund të variojnë nga disa kilometra deri në dhjetëra apo edhe qindra kilometra. Metoda e re, sipas saj, kombinon në mënyrë inovative matematikën e rrjedhës së akullit me vëzhgimet satelitore të sipërfaqes, duke mundësuar rindërtimin e peizazhit nënglacial në të gjithë kontinentin, përfshirë zonat që më parë nuk ishin matur.
Studiuesit shpresojnë se kjo hartë do të shërbejë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e modeleve klimatike dhe për parashikimet mbi rritjen e ardhshme të nivelit të detit, përfshirë vlerësimet e publikuara nga Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike.