Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish nga qelia e burgut, në lidhje me ngërçin e krijuar me seancat në Gjykatën e Posaçme, për shkak të bojkotit të avokatëve.
Në një shkrim në rrjetet sociale, Meta shprehet se kjo përplasje vazhdon të sjellë pasoja shumë të rënda me zvarritjen e proceseve gjyqësore, të cilat cënojnë, jo vetëm interesat e shtetit, por edhe vetë proceset e rregullta ligjore.
Meta ngre akuza dhe ndaj Kuvendit, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe institucioneve të tjera për mosreagim ndaj kësaj çështjeje.
Reagimi i plotë:
Vazhdimi i konfliktit të qëllimshëm GJKKO e Shkallës së Parë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë vazhdon të sjellë pasoja shumë të rënda me zvarritjen e proceseve gjyqësore, të cilat cënojnë, jo vetëm interesat e shtetit, por edhe vetë proceset e rregullta ligjore, si edhe cenojnë rëndë mbrojtjen efektive të qytetarëve të përfshirë në këto procese.
Akoma më e rëndë bëhet kjo situatë kur Kuvendi jo vetëm që ka dy muaj që hesht dhe bën sikur nuk shikon, por edhe të vetmen nismë ligjore të ndërmarrë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, në datë 14 tetor 2026, e refuzoi më datë 22 tetor 2026 ta përfshijë në kalendarin e punimeve.
Po kështu, heshtja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, prej dy muajsh, cënon rëndë besimin te institucionet, që kanë detyrë kushtetuese për administrimin e proceseve gjyqësore.
Heshtja dhe mosreagimi i çdo aktori institucional që ka përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore, dëshmon qartë se kemi të bëjmë me një konflikt me regji politike në interes vetëm të Edi Ramës dhe organizatës që ai drejton.
Natyrisht, ky konflikt me regji, është vijim i telenovelës “Drejtësi me Regji”, e cila ka asgjësuar prej kohësh shtetin e së drejtës me qëllim instalimin e Narkodiktaturës të vetme në Europë.
