Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik kanë zhvilluar mbledhjen e tyre online, ku deputetët e Partisë Socialiste nuk ishin të pranishëm në sallë.
Iris Luarasi, Ardit Bido, Piro Dhimo, Ramion Kurti, Kiduina Zaka, Etleva Budini, Alma Selami, etj., zhvilluan diskutimet e tyre online, ndërsa opozita e bojkotoi Komisionin.
Deputetja Luarasi e zhvilloi diskutimin e saj nga shtëpia, ku fillimisht u ndal tek protestat e dhunshme në Tiranë, sjelljen e të miturve dhe pjesëmarrësve në protestë.
“Prania dhe përdorimi i të miturve në protestat e dhunshme. E drejta e protestës është e shenjtë, në një demokraci, studentë përfaqësues të rinj, kanë të drejtë të ngrenë zërin, të kërkojnë më shumë nga shteti dhe nga ne. Asnjë punonjës policie po ashtu nuk ka të drejtë të tejkalojë ligjin, çdo rast të teprimit duhet të hetohet, kush ka gabuar duhet të hetohet. Kur shohim fëmijë 14-16 vjeç në vijën e parë të përplasjeve mes gurëve, molotovëve dhe gazit lotsjellës, duhet ta pranojmë se është kaluar një vijë e kuqe. Kemi parë një tentativë për t’i vënë flakën institucioneve, e bizneseve, në një skenë të tillë një fëmijë nuk duhet të jetë mburojë për askënd”, tha ajo.
Ajo i bëri thirrje kolegëve të opozitës të rikthehet me pjesëmarrje në Komisionet Parlamentare.
Piro Dhima votoi nga makina nenet në parim, ndërsa Bido dhe një pjesë e kolegëve të tij ishin në zyrat e tyre.
