... Nami.al

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Berisha: Rruga e vetme është Apeli

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, këtë të shtunë ka vijuar bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale.

Ai fillimisht u ndal te vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilën e cilësoi tepër emocionuese, ndërsa tha se shqetësimi kryesor që ngriti te partnerët e tij në SHBA ishte siç tha ai “narkoshteti i qeverisë së Edi Ramës”.

Lideri i demokratëve pohoi se zëri dhe shqetësimi i ngritur prej tij janë dëgjuar nga SHBA-të.

“Mund t’u them se Sekretari Rubio, në mesazhin e tij që i dërgon Edi Ramës për pavarësinë e Shqipërisë, shprehet se kartelet e drogës, bashkëpunëtorët e tyre dhe organizatat kriminale janë një rrezik për qytetarët amerikanë dhe duhet t’i luftojmë me efikasitet.

Po kështu, lufta kundër korrupsionit është një problem tjetër madhor, për të cilin administrata e presidentit Trump e ka shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimin e saj.

Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë miqve tanë në Partinë Republikane, IDU-së për ftesën dhe mikpritësve në takimet e rëndësishme që patëm.

Por, dua të jem i sinqertë, pjesa më emocionale e udhëtimit tim ishin takimet me diasporën tonë të mrekullueshme.

Takime që rikthyen atmosferën e zjarrtë të viteve ’90-’91, kur së bashku me diasporën bëmë gjithçka për të përmbysur diktaturën komuniste në Shqipëri. Në atë kujtim, e kujtoj gjithnjë, ne kërkuam ndihmën dhe mbështetjen e saj për të rrëzuar diktaturën komuniste në Shqipëri dhe çlirimin e Kosovës. Diaspora dha kontribut historik. Një pritje e jashtëzakonshme. Një angazhim i madh, një preokupim i madh i tyre për gjendjen në Shqipëri dhe vendosmëri për të kontribuar në mënyrë që shqiptarët të shpëtojnë nga diktatura autoritare e Edi Ramës dhe narkoshteti i tij”, tha ai.

Po ashtu, kryedemokrati u ndal te vendimi i 16 shtatorit, ku Gjykata Speciale dënoi me 81 vite burgim në total, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai theksoi se ky vendim ishte ndër më të rëndët dhe një goditje për kombin shqiptar. Megjithatë, Berisha tha se rruga e vetme për t’u përballur me këtë vendim të padrejtë është Apeli.

“Natyrisht, java që lamë pas nuk ishte një javë e mirë për shqiptarët. Ish-udhëheqja politike e UÇK dhe Kosovës mori nga Gjykata e Dhomave të Specializuara verdikte ndër më të rëndat. Duhet të sqarohemi, asnjeri dhe askush nuk mund të jetë kundër dënimit të krimeve konkrete, vrasjeve konkrete, akteve të tjera. Dhe, në këtë kuadër, në çdo rrethanë drejtësia duhet të japë fjalën e saj.

Por në këtë rast, duhet të jemi të hapur, nga ai lexim i vendimit të shkurtuar nga gjykatësi Çarls Smith, krijohet përshtypja se të akuzuarit u dënuan për linja komandimi dhe kjo natyrisht është absolutisht e paqëndrueshme në rast se ajo nuk është e faktuar me dokumente.

Sepse është shumë e njohur, vërtet UÇK ishte një lëvizje e fuqishme guerile, por ajo nuk ishte një ushtri e rregullt siç e paraqiti në vendimin e tij.

Përfaqësuesit e saj në Tiranë, z. Thaçi, z. Krasniqi kanë qenë pa dyshim figurat kryesore, por distanca me terrenin ishte shumë e madhe. Ndaj, përveç kësaj, shqiptarët e kanë shumë të vështirë të imagjinojnë që arkitektët e Operacionit famëzi Patkoi, operacionit të spastrimit masiv etnik dhe të gjenocidit në Kosovë, të marrin dënime shumë më të lehta se sa çlirimtarët e Kosovës.

Pra, edhe njëherë, ne kemi mbështetur dhe mbështesim ndëshkimin e autorëve konkretë dhe të krimeve konkrete. Por linjat e komandës dhe dënimi me linja komande nuk ka një bazë solide dhe mendoj se në këtë kuadër, problem shumë serioz përbën kuadri ligjor mbi të cilin ka vendosur ligjvënësi gjykatën.

Meqë jemi tek gjykata, jashtë emocioneve, ngritja e Gjykatës së Kosovës, çdo shqiptar në Kosovë duhet ta dijë se ngritja e saj në Hagë është bërë për shkak të një detyrimi.

Në qoftë se Serbia e ngriti në Beograd, Kroacia në Zagreb, kjo gjykatë e Kosovës u ngrit në Hagë për një motiv, për shkak të vrasjes së dëshmitarëve. Kjo është e vërteta.

Dhe gjykata nuk mund të mos ngrihej. Gjykata u ngrit edhe për një arsye të dytë, në mënyrë që tribunali për ish-Jugosllavinë të mos aplikohej më tutje në rastin e Kosovës.

Pra, nuk është një akt i paprecedent, secili nga vendet… por problemi është se Kosova ishte e pushtuar, Kosova ishte viktimë e një agresioni barbar, e një pushtimi barbar. Nuk mund të akuzosh tjetrin se ka ngritur institucionin e zbulimit. Të akuzosh se ka marrë në pyetje. Po cila ushtri në luftë, cila lëvizje guerile në luftë nuk merr në pyetje? Pra, shumë elementë që dëgjuam nga vendimi i shkurtuar, vendimin e gjatë nuk e kam parë, ishin larg në vlerësimin tonë justifikimit të atyre dënimeve që dëgjuam. Duke shprehur këtë, shoh një diskutim intensiv për këtë problem tashmë që ka vetëm përgjigje juridike. Ky problem ka apelimin si rrugë të vetme. Të gjitha përpjekjet e tjera, i garantoj qytetarët veçse sa ndërlikojnë tashmë jo vetëm ish-udhëheqësit politikë të Kosovës, por edhe vetë Kosovën.

Ndaj dhe ajo që unë mendoj është e domosdoshme, një ekip mbrojtje sa më kompetent dhe i fuqishëm, ndonëse unë nuk kam asnjë fakt aktual të them se mbrojtja aktuale nuk ishte e fuqishme, por pasi të shqyrtohet vendimi përfundimtar i plotë, unë mendoj se apeli që duhet të ndiqet pa humbur kohë pasi vetë gjykata ka përcaktuar afate.

E përfundoj këtë, asgjë nuk mund të errësojë, nuk mund të zvogëlojë lavdinë e luftëtarëve të lirisë, e luftës çlirimtare të Kosovës, e cila është pa dyshim faqja më e ndritur e luftërave shqiptare për liri dhe dinjitet që nga koha e Skënderbeut. Ajo luftë, në kombinim të plotë me ofensivën ajrore të NATO-s, të udhëhequr nga presidenti Bill Klinton, çliroi Kosovën nga pushtimi serb dhe në atë rrugë e sipër ajo u bë e pavarur. Ndaj dhe nuk duhet askush të mendojë se lufta çlirimtarë e luftëtarëve të lirisë mund të nxihet ose mund të damkoset. Aspak. Aspak!“, tha ai.