...
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Tiranë, ku burri vrau me thikë bashkëshorten e tij.
Autori i vrasjes, Hysni Patushi, ka dhënë edhe versionin e tij, se përse e kreu krimin.
Ai ka pranuar autorësinë e ngjarjes, por ka deklaruar se gruan nuk e vrau ai, por fëmijët e saj, sepse ajo rrinte tek ata më shumë se tek ai dhe, sipas tij, nuk ishte e hijshme ta linte vetëm në shtëpi.
Për këtë arsye Hysni Patushi tha se e vrau bashkëshorten.
Ndër të tjera, ai fajëson edhe dhëndrin e tij në lidhje me gjithë situatën e krijuar në familjen e tij. Vajza e viktimës kishte një fëmijë të sëmurë dhe për këtë arsye viktima shkonte shpesh tek shtëpia e së bijës që të kujdesej për të.
Rrëfeu edhe rrethanat në të cilat ndodhi krimi makabër ditën e sotme.
“Kam pasur konflikte herë pas here me gruan. Shkak ka qenë fakti se ajo nuk qëndronte tek shtëpia jonë në Don Bosko, por tek shtëpia e vajzës. I kam kërkuar disa herë gruas të qëndronte tek shtëpia jonë, por nuk pranonte.
Paraditen e sotme e kam marrë në telefon dhe më ka thënë se është në një qendër tregtare. Shkova tek shtëpia e vajzës dhe e gjeta aty. Ajo më kishte gënjyer. Në debat e sipër e qëllova me thikë në zemër”, ishte deklarata e autorit të vrasjes para uniformave blu.
Ngjarja tronditëse ndodhi gjatë ditës së sotme, në një kompleks pallatesh pranë Zogut të Zi. Lumturi Palushi 58 vjeçe u vra mizorisht nga bashkëshorti, në sy të familjarëve.