... Nami.al

Muzeu Hebraik në Vlorë/ Berisha: Nismë pozitive, por të mos preket ndërtesa historike e shoqatës “Labëria”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi pozitive ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, ndërsa deklaroi se PD-ja nuk pajtohet me asnjë qëndrim antisemit.

“Partia Demokratike është një parti e tolerancës fetare dhe e respektit të pafund. Ajo nuk pajtohet, në mënyrë absolute, me asnjë qëndrim antisemit. As anti-feve të tjera”, tha Berisha.

Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe bashkëjetesën historike mes dy komuniteteve.

“Përderisa ata kanë pasur një bllok të tyre, një zonë të tyre ku kanë jetuar ato familje, ndërtohet një muze në kujtim të kësaj historie. Unë e quaj pozitive”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha kundërshtoi ndërhyrjen në ndërtesën historike të shoqatës “Labëria”, duke kërkuar që ajo të mos preket.

“Ajo ndërtesë nuk duhet prekur. Ajo ndërtesë është historike, është me mbrojtje të kategorisë së parë. Ajo përforcohet që t’i rezistojë kohës”, deklaroi ai.

I pyetur për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve të Partisë Demokratike për kryetarë bashkie, Berisha u shpreh në favor të primareve, por me një proces paraprak seleksionimi.

“Personalisht jam për primaret. Të jemi të hapur. Por, çfarë u mungon primareve tona? Primareve tona iu mungon seleksioni”, tha Berisha.

Sipas tij, brenda PD-së ka ide për përzgjedhjen e kandidatëve pa primare dhe ide për zhvillimin e primareve me seleksion.

“Për momentin ka ide pa primare, ka ide për primare me seleksion dhe unë jam më shumë me këtë të dytën”, përfundoi Berisha.