... Nami.al

SPAK zbarkon në vilën e Ron Yeffet, kontroll biznesmenit izraelit!

SPAK ka kryer një kontroll në vilën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet në fshatin Pëllumbas.

Kontrolli është kryer në kuadër të verifikimeve që po zhvillohen nga Prokuroria e Posaçme.

Emri i Ron Yeffet është bërë veçanërisht i diskutuar në javët e fundit për shkak të aktivitetit të tij në sektorin e mbrojtjes dhe marrëdhënieve të biznesit në Shqipëri.

Yeffet është një biznesmen izraelito-amerikan, i cili është i përfshirë në disa kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes.

Ndër to janë “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, kompani të krijuara në vitin 2025, me aktivitet në prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.

Emri i tij është përmendur në audiopërgjime të bëra publike së fundmi nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Në këto materiale ngrihen pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe municioneve, ku përmenden Shqipëria, kompani të sektorit të mbrojtjes dhe KAYO.

Kontrolli i sotëm i SPAK në vilën e tij rikthen në vëmendje aktivitetin e biznesmenit në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me sektorin e mbrojtjes.
Pritet që në vijim të zbardhen më shumë detaje mbi objektin e kontrollit dhe nëse veprimet e SPAK lidhen me një prej çështjeve që kanë dalë në publik gjatë javëve të fundit.

Yeffet është përmendur ndërkohë edhe në një çështje gjyqësore në Miami, ku një biznesmen amerikan e ka paditur për mospagesën e një detyrimi prej miliona dollarësh