... Nami.al

Ngërçi i pagave të magjistratëve – Apeli i GJKKO padit Ministrinë e Financave dhe Thesarin në Gjykatën Administrative!

Një përplasje e paprecedentë institucionale mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv ka mbërritur në dyert e drejtësisë administrative. Më 11 shtator 2026, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e përfaqësuar nga Zëvendëskryetari Dhimitër Lara, ka dorëzuar një padi zyrtare pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë kundër Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë, me pjesëmarrjen e Avokaturës së Shtetit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor si person i tretë.

Shkak për këtë përplasje është bërë bllokimi i ekzekutimit të pagave për muajin Gusht 2026. Përmes padisë, GJKKO e Apelit kërkon konstatimin e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e shkresës nr. 14110 të datës 2 shtator 2026 të Ministrisë së Financave, e cila pezulloi urdhër-shpenzimet nr. 190 deri 196 të dërguara në bankat tregtare.

Paditësi i kërkon gjykatës detyrimin e organeve financiare për të ekzekutuar menjëherë listëpagesat e mbështetura në Vendimin nr. 435 të KLGJ-së dhe Urdhrin nr. 73 të Zëvendëskryetarit të Apelit të GJKKO-së, pa e kushtëzuar këtë proces me rikthimin te parametrat e pagave të muajit Korrik.

Paralelisht, është kërkuar edhe një masë sigurimi padie për të pezulluar menjëherë efektet e aktit të Ministrisë së Financave dhe për të zhbllokuar sistemin e Thesarit.

Arsyetimi ligjor i parashtruar në padi mbështetet në zbatimin e Vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe aktit pasues të KLGJ-së. Këto akte përcaktuan përllogaritjen e re të pagës bazë referuese sipas Kategorisë I, Klasa I-2, në masën 222,425 lekë për pagën e pozicionit, së bashku me një shtesë prej 14,000 lekësh për kualifikimin.

Sipas padisë, kontrolli financiar i pushtetit ekzekutiv nuk mund të tejkalojë kufijtë ligjorë për t’u shndërruar në një kontroll administrativ apo pezullim faktik të akteve të vetëqeverisjes gjyqësore.

Më tej, padia vë në dukje se bllokimi i Thesarit ka prekur në mënyrë të paligjshme edhe stafin e administratës gjyqësore, ndaj të cilëve nuk ekziston asnjë debat apo pengesë ligjore.

Gjykata gjithashtu argumenton një qëndrim me dy standarde nga ana e organit ekzekutiv, pasi detyrimet fiskale dhe shoqërore janë mbajtur nga organet tatimore sipas parametrave të pagës së re të rritur, ndërsa vetë ekzekutimi i pagave për punonjësit është bllokuar në mënyrë arbitrare.

Sakaq, Gjykata Administrative ditën e sotme ka dhënë urdhër që të paguhen gjyqtarët e GJKKO.