...
Makina e re e Edi Ramës nuk qenka blerë nga shteti, por është marrë me qira. Dhe për pagesën, qeveria ka një sqarim: faturën nuk e merr përsipër buxheti i shtetit, por Partia Socialiste.
Çështja u ngrit pas mbledhjes së qeverisë, ku ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, u pyet për automjetin e ri të Kryeministrit.
Sipas saj, makina përdoret jo vetëm për aktivitetet zyrtare të Ramës, por edhe për angazhimet e tij politike, ndaj pagesa bëhet nga buxheti i Partisë Socialiste.
“Makina e kryeministrit është me qira, paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste”, deklaroi Ismaili.
Por përtej qirasë, ministrja solli edhe arsyen tjetër: sigurinë e Kryeministrit. Sipas saj, automjeti është zgjedhur edhe në bazë të kërkesave të Gardës së Republikës.
S-Class-i i ri: 121 mijë euro
Makina mban targën AC 753 ZN dhe nga specifikat e modelit, përputhet me Mercedes-Benz S 350 d 4MATIC, versioni hyrës me motor nafte të gamës së re të S-Class, siç duket në videon më poshtë:
Me një verifikim të thjeshtë dallohet automjeti që Mercedes-Benz e ka nxjerrë në porosi më 30 janar 2026.
Çmimi zyrtar fillestar në Gjermani për S 350 d 4MATIC është 121,356.20 euro, përfshirë 19% TVSH, pa përfshirë kostot e dorëzimit.
Ky është modeli më i fundit i një prej linjave që Mercedes-Benz e përdor si vitrinën e teknologjisë dhe luksit të vet.