... Nami.al

I vuri zjarrin tokës për të hapur kullota të reja, arrestohet 52-vjeçari në Selenicë!

Një 52-vjeçar nga fshati Mallkeq është arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin një sipërfaqeje toke në mënyrë të qëllimshme, me synimin për të hapur kullota të reja.

Sipas Policisë, shtetasi A. S., 52 vjeç, dyshohet se është autori i zjarrvënies në vendin e quajtur “Qafa e Petës”, në fshatin Petë, më 6 korrik 2026.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe pemë ulliri. Zjarri mori përmasa të mëdha, duke rrezikuar edhe banesat e zonës, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse bëri të mundur vënien nën kontroll të flakëve.

Në përfundim të veprimeve hetimore, 52-vjeçari u arrestua për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, R. S., 62 vjeç dhe I. S., 35 vjeç, banues në fshatin Mallkeq, përkatësisht vëllai dhe kushëriri i të arrestuarit.

Sipas Policisë, gjatë shoqërimit të A. S., dy personat kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke i penguar në kryerjen e detyrës, dhe më pas janë larguar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.