...
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim në Shkodër me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së këtij qarku.
Gjatë mbledhjes, Hita është shfaqur i pakënaqur me rezultatet e Policisë së Shkodrës, drejtori të cilën ai vetë e ka drejtuar për një periudhë prej afro katër muajsh gjatë vitit 2021.
Sipas asaj që u bë e ditur gjatë takimit, shqetësimet e kreut të Policisë së Shtetit lidhen me disa fusha, duke nisur nga niveli i zbulueshmërisë së vrasjeve dhe kriminaliteti, te aktiviteti i grupeve kriminale, kultivimi dhe trafikimi i kanabisit.
Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu problematikat e trafikut rrugor dhe masat për garantimin e sigurisë në shkolla, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Hita u ka kërkuar strukturave vendore rritjen e efektivitetit dhe rezultate më konkrete në goditjen e grupeve kriminale dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale, veçanërisht të vrasjeve. Një tjetër pikë ku është kërkuar intensifikim i punës lidhet me parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike.
Takimi u zhvillua në të njëjtën ditë kur Shkodra u trondit nga vrasja e 24-vjeçarit Ylber Luli. Për këtë ngjarje, Policia arrestoi Andri Vulajn, i dyshuar si autor i krimit.
Mbledhja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit me strukturat vendore në Shkodër zgjati më shumë se një orë.
Takimi ishte pjesë e një serie mbledhjesh që Hita po zhvillon në qarqe të ndryshme të vendit me drejtuesit vendorë dhe strukturat e Policisë, ku në fokus janë analizimi i punës, përcaktimi i detyrave dhe kërkesa për rezultate më të larta në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit.