...
Një video e publikuar në rrjetet sociale nga avokati Kujtim Cakrani ka ngjallur reagime lidhur me një ndërhyrje të Policisë në Kuçovë, ku, sipas pretendimeve të tij, një qytetar është shoqëruar nga efektivët pas një konflikti lidhur me punimet në banesën e tij.
Në pamjet e publikuara shfaqet ndërhyrja e disa punonjësve të Policisë, ndërsa qytetari shoqërohet nga ambientet e banesës. Në video dëgjohen edhe të qara të një fëmije, i cili i drejtohet efektivëve duke thënë: “Mos, o xhaxhi polic!”
Sipas avokatit Cakrani, ndërhyrja është kryer në banesën e qytetarit dhe ai pretendon se Policia nuk ka pasur një vendim gjykate për shoqërimin e tij. Cakrani ka kritikuar mënyrën e veprimit të efektivëve dhe ka ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes.
Në postimin e tij, avokati ka kërkuar sqarime mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa deri në publikimin e këtij raportimi nuk ka një reagim zyrtar nga Policia për të shpjeguar arsyet e ndërhyrjes dhe ndalimit të qytetarit.
Për momentin, rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivet që kanë çuar në ndërhyrjen e forcave të Policisë mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet.