... Nami.al

Bllokohet për tre ditë autostrada Tiranë-Durrës: Ja si do të devijohet qarkullimi

Autostrada Tiranë-Durrës do të bllokohet përkohësisht në të dyja drejtimet më 1, 2 dhe 3 shtator 2026. ARRSH njoftoi sot se kufizimet do të jenë në fuqi gjatë orëve të natës, nga ora 23:00 deri në 05:00.

Ndërhyrja lidhet me vijimin e punimeve për projektin e zgjerimit të Superstradës Tiranë-Durrës, Faza III. Gjatë kësaj kohe do të kryhet montimi i trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit.

Qarkullimi në drejtim të Durrësit dhe Tiranës do të devijohet përkohësisht në rrugët dytësore. Mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, do të devijohen që në nyjën e hyrjes së kryeqytetit.

Ndërkohë, automjetet që udhëtojnë drejt Rinasit, Shkodrës dhe Kosovës do të orientohen përmes mbikalimit Kashar-Thumanë. ARRSH u kërkon drejtuesve të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe të ndjekin sinjalistikën e përkohshme gjatë gjithë kohës së ndërhyrjes.

Njoftimi i ARRSH

Në kuadër të vijimit të punimeve për realizimin e projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”, dhe në zbatim të Planit të Menaxhimit të Trafikut, do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit.

Për realizimin e sigurt të këtyre punimeve, në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, në intervalin kohor 23:00–05:00, do të ketë bllokim të përkohshëm të korsive të lëvizjes në të dyja drejtimet e aksit kryesor Tiranë–Durrës dhe Durrës–Tiranë.

Gjatë këtij intervali kohor, qarkullimi i mjeteve do të menaxhohet dhe devijohet sipas skemës së mëposhtme:

• Drejtimi Tiranë–Durrës

Mjetet do të devijohen nëpërmjet rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë lëvizjen në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet nëpërmjet rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.

• Mjetet e rënda, veçanërisht kamionët

Për shkak të karakteristikave të qarkullimit dhe punimeve që do të kryhen, mjetet e rënda do të devijohen që nga nyja “Casa Italia”, duke vijuar nëpërmjet rrugës dytësore.

• Drejtimi Durrës–Tiranë

Mjetet do të devijohen nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë, duke vijuar në rrugën dytësore në anën e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, nga ku do të rikthehen në autostradë.

• Mjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën

Këto mjete do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar më tej në drejtimin përkatës.

Gjatë gjithë periudhës së ndërhyrjes do të jetë e pranishme sinjalistika e përkohshme rrugore, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë të lutur të ndjekin me përpikëri sinjalizimin dhe udhëzimet e personelit të angazhuar për menaxhimin e trafikut.

ARRSH kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për kufizimet e përkohshme të qarkullimit.

U rekomandohet drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itinerarin e tyre dhe të shmangin, sa të jetë e mundur, qarkullimin në këtë segment gjatë intervalit kohor të punimeve.