... Nami.al

Ngërçi politik në Kosovë drejt zgjidhjes? Konjufca për presidentin: Emrat i kemi gati, por…

Lëvizja Vetëvendosje duket se i ka emrat për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

Sipas mediave në Kosovë, emrat nuk do të bëhen publikë para takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka thënë se VV dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë të gatshëm për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa pret që në këtë takim të diskutohen emrat konkretë për presidentin e ardhshëm.

“Prej kur Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar që janë të gatshëm për takime dhe që tashmë është paralajmëruar se takimi i radhës do të zhvillohet në formën e propozimit të emrave konkretë lidhur me presidentin e ardhshëm, atëherë e kemi kuptuar menjëherë që kjo është një shans i mirë dhe një mundësi e re. E prandaj konsideroj që ekziston një probabilitet goxha i madh që të kemi president dhe një marrëveshje për presidentin. Meqë se kur do që të takohen kryeministri Kurti me kryetarin Abdixhiku, mendoj që kjo do të jetë forma e diskutimit edhe forma e negociimit. Do të takohen përmes propozimit të emrave konkretë dhe prej atyre emrave konkretë unë besoj që njëri prej tyre do të jetë edhe presidenti apo presidentja e ardhshme e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai pas nisjes së rigjykimit për hedhje gazi në Kuvend.

Konjufca ka bërë të ditur se emrat tashmë janë përcaktuar nga VV-ja, por ka thënë se publikimi i tyre para takimit do ta dëmtonte procesin e negociimit.

“Lëvizja Vetëvendosje unë vetëm po them që është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve. Më vjen keq sepse pastaj kjo do ta humbte kuptimin pastaj procesi i negociimit. Edhe LDK-ja besoj që së shpejti do të jetë gati sepse javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha që kjo javë do të jetë java në të cilën ata do të takohen. Me sa kam marrë vesh unë, në Vetëvendosje kryeministri Kurti ende nuk ka një ftesë nga apo një diskutim se cila do të jetë dita e kësaj jave. Po kështu e ka përdorur gjuhën kryetari Abdixhiku, ka thënë: “këtë javë”. Prandaj ne jemi në pritje e sipër që kjo të ndodhë. Dhe kur kjo të ndodhë, atëherë unë mendoj që do të jetë shumë afër marrëveshja për presidentin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.