...
Gjatë 24 orëve të fundit, territori i vendit është përfshirë nga një situatë e tensionuar e zjarreve, ku janë raportuar gjithsej 34 vatra. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, pesë prej tyre vijojnë të mbeten aktive, ndërsa katër të tjera janë vënë nën mbikëqyrje paraprake.
Përballja me flakët ka mobilizuar strukturat e emergjencës, ku në terren janë angazhuar 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura (FA) kanë dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë me 60 efektivë, një helikopter dhe dy avionë Air Tractor. Vatrat aktive dhe operacionet në terren Mali i Dajtit: Vëmendja kryesore e autoriteteve është përqendruar këtu, ku zjarret janë riaktivizuar në të dyja anët e kreshtës. Operacioni po vijon me përforcimin e 50 efektivëve shtesë të FA-së, bashkë me forcat zjarrfikëse dhe të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura (ADZM), ndërsa autoritetet konfirmojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qarku i Dibrës: Mbeten aktive dy vatra – ajo në Ballenjë–Kostenjë, ku po punojnë gjashtë forca të AZM-së, si dhe vatra në Qafë të Helmës në Bulqizë, e cila po mbahet nën monitorim të rreptë, gjithashtu pa rrezik për banesat.
Qarku i Elbasanit: Janë shënuar riaktivizime në Malin e Dardhës në Librazhd dhe në Malin e Qukësit në Prrenjas. Në terren po operojnë efektivët e Shërbimit Zjarrfikës të Librazhdit, ndërsa zonat e banuara nuk rrezikohen.
Përmirësimi i situatës në Pukë Situata paraqitet më e qetë dhe e përmirësuar në qarkun e Pukës. Në zonat e Gjegjanit, Gojanit të Vogël, Gojanit të Madh, Prozhëmit dhe Tërbunit nuk ka më vatra aktive, megjithëse zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) po ndjek situatën në mënyrë të pandërprerë në shkallë vendi, në koordinim të ngushtë me prefekturat dhe bashkitë, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri të plotë me prioritet absolut mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.