...
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së dielës (23 gusht) në Malishevë, ku një person është qëlluar për vdekje ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se viktimë ka mbetur një grua shtatzënë në javën e 34-t.
Ajo ishte dërguar për trajtim në QKUK, por pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra nga ekipi kujdestar, nuk ka arritur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në Emergjencë.
Ndërkaq, personi i plagosur ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe ndodhet në intubim.
Ai mësohet se është bashkëshorti i viktimës.
Çifti i bashkëshortëve u gjetën në gjendje të rëndë në dhomën e tyre të gjumit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20 të ditës së djeshme, në fshatin Kërvasari, pasi Policia e Kosovës u njoftua për një person të plagosur me armë zjarri.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, efektivët mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe gjetën në një dhomë gjumi një çift bashkëshortor të plagosur.
Të dy u dërguan fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Rreth orës 01:10, Policia u njoftua nga QKUK-ja se gruaja kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Një tjetër detaj i bërë publik nga hetimet është se në vendngjarje policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes, dinamikën e të shtënave dhe motivin.
Deri në këtë fazë, nuk janë bërë publike të dhëna të tjera që do të mund të qartësonin se si ka ndodhur ngjarja brenda banesës.