...
Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në Malishevë, ku një çift bashkëshortësh u qëlluan me armë zjarri në dhomën e tyre të gjumit.
Sipas asaj që mediat vendase raportuan më herët, gruaja 25-vjeçare e cila ishte shtatzënë, fatkeqësisht humbi jetën, ndërkohë që bashkëshorti i saj 26-vjeçar është duke luftuar me vdekjen.
Nga informacioni i bërë publik nga Policia e Kosovës ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:20, kur njësitë policore janë njoftuar për të shtëna me armë zjarri në Kërvasari, Malishevë.
Menjëherë efektivët e policisë kanë mbërritur në banesën e çiftit të ri të cilët ndodheshin në dhomën e tyre të gjumit të “larë” në gjak.
Të dyve u është dhënë ndihma e parë mjekësore në vendin e ngjarjes dhe më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mirëpo fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, për të renë e cila ishte në javën e 34-të të shtazanisë ishte tepër vonë.
Ajo mbërriti pa shenja jetë në spital, ndërkohë që bashkëshorti i saj menjëherë u fut në sallën e operacionit ku dhe vijon të jetë në gjendje të rëndë.
Teksa autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj masakre, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri me të cilën dyshohet se janë qëlluar dy të rinjtë.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat në Kosovë, dyshohet se bashkëshorti ka qëlluar me armë gruan e tij, e cila mbeti e plagosur rëndë dhe humbi më pas jetën rrugës për në spital.
Më pas mendohet se ai ka qëlluar dhe veten.
Por për momentin nuk ka ende asnjë konfirmim.