...
Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).
Marrëveshja, e sjellë nga qeveria të premten, parashikon një hua në shumën 302 milionë dollarë amerikanë, e cila do të përdoret për nevojat e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Në nisje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi për futjen e marrëveshjes në rendin e ditës për miratim me procedurë të përshpejtuar.
“Në rendin e ditës është miratimi, në parim, i marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF), me një hua në shumën totale prej 302,000,000 (treqind e dy milionë) dollarësh amerikanë”, tha Peleshi.
Sipas tij, çdo deputet që dëshiron të njihet me deklaratën e konfidencialitetit të marrëveshjes duhet fillimisht ta firmosë atë dhe më pas mund të ketë akses në përmbajtjen e saj.
Gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se huaja prej 302 milionë dollarësh përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përforcon partneritetin strategjik me SHBA-në.