... Nami.al

Mori kopjen e marrëveshjes me SHBA-në dhe u largua me vrap, Agron Shehaj tregon se çfarë ndodhi

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka sqaruar incidentin që ndodhi në Kuvend, ku ai mori dokumentin e marrëveshjes me SHBA-në për huanë prej 302 milionë dollarësh dhe u largua me vrap.

Shehaj tha se e mori marrëveshjen për ta lexuar pas deklaratës së kryeparlamentarit Niko Peleshi. Ai tha se firmosi dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe më pas e mori atë dhe u largua.

“Në lidhje me lajmet që kanë dalë mbi dokumentin e marrëveshjes, thjesht e keni parë vetë që kryeparlamentari u tha deputetëve që po ankoheshin se mund ta gjenin te zyra këtu afër. Nuk tha që nuk mund ta marrësh. Unë shkova, firmosa dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe u largova. Ne na kërkojnë shumë gjëra në Kuvend, madje na kërkojnë të mos shkojmë kur është Rama”, tha ai.

Më tej, Shehaj tha se, pasi e lexoi marrëveshjen, e dorëzoi sërish në zyrën ku e mori.

“Marrëveshjen e dorëzova sërish aty ku e mora. Marrëveshja nuk ka dalë nga Kuvendi i Shqipërisë. E mora sepse më takonte. Ajo është një marrëveshje sekrete dhe nuk jam i autorizuar të jap detaje.”, u shpreh ai,

Në fund, kreu i Partisë Mundësia tha se do ta votojnë pro marrëveshjen, por kritikoi procedurën që Kuvendi po ndjek.

“Ne në parim, jemi pro marrëveshjes, por jemi kundër procedurës që po ndiqet nga Kuvendi”, deklaroi Shehaj.