...
PD e PS u përpasën për Reformën Territoriale në seancën e fundit parlamentare. Demokratët akuzuan se reforma po bëhet e vetme nga socialistët, që nuk kanë pritur përfundimin e punës së komisionit.
“Rama tërhiqet nga reforma territoriale duke vijuar me projektin për shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë”, tha Sali Berisha.
Deputetët e PD akuzuan se vendimi për të shkrirë gati 20 bashki, tashmë është marrë.
“A shkrihet Mirdita? Mos i bëni atentat Shqipërisë”, tha Agron Gjemarkaj.
“U tha këtu Kruma (Hasi). Nuk shkrihet as Mirdita”, iu përgjigj Taulant Balla.
“T’iu vijë turp nëse votoni që të shkrihet Delvina dhe Konispoli”, tha Ina Zhupa.
“Më tingëllon e pavend që pa dalë harta territoriale dëgjojmë trillime”, vijoi Ardit Bido.
Bashkëkryetari demokrat Luçiano Boçi kërkoi që PS të tërhiqet nga drafti dhe të shtyjë afatin e punës së Komisionit të Reformës Territoriale, por PS është e vendosur që më 23 korrik, ditë që përkon me seancën e fundit për këtë sesion të prezantojë një raport të punës së deritanishme.
Në emër të PS, Taulant Balla sqaroi se nuk bëhet fjalë për draftin final.
“Në datë 23 nuk do të ketë votim, por raportim që mbi bazën e tij ka një proces që i përfshin komunitetet”, tha Balla.
Në mbledhjen e fundit të komisionit të Posaçëm PS njoftoi se do të shkojë drejt formulës për më pak bashki dhe ndarje të vendit në rajone për hartën e re territoriale.