... Nami.al

Akuzat e Taulant Ballës, Shehaj hap letrat për vilën në Itali: E bleva 2.9 milionë Euro dhe e shita 15! Kam blerë edhe një tjetër 10 milionë…

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i është kundërpërgjigjur sërish deputetit socialist Taulant Balla, si vazhdë e përplasjeve të tyre të fundit për vilat e opozitarit.

Akuzat dhe replikat mes kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreut të partisë Mundësia Agron Shehaj, kanë vijuar sërish në lidhje me vilën e këtij të fundit në Itali, të cilën tha se e ka shitur 15 milionë euro.

Balla ka reaguar pas deklaratave të Shehajt, duke i kërkuar të mos kërkojë mbështetjen e Berishës, por të japë përgjigje për çështjen e vilës së tij në Itali, pasi sipas tij nga Kadastra atje rezulton se nuk është shitur.

“O gono, ku je mo? Paske nxjerrë edhe Saliun, 82 vjeç, në pikë të vapës, në 12 të drekës, vetëm që të të mbrojë. Lëre rehat Saliun tani, mos e përdor si avokat. Gono thuaj, e bleva 2.9 milionë, e shita 15 milionë. Kaq. Vetëm sqaroje: e ke shitur apo jo? Sepse në kadastrën italiane duket sikur nuk e ke shitur”, tha Balla.

Pas këtij postimi në rrjete sociale, Agron Shehaj, ka replikuar me deputetin socialist për vilat e tij. Shehaj ka publikuar me dokumente të dhënat e plota, ku sipas tij ka bërë transparencë totale në lidhje me pronat në Itali.

Sipas dokumenteve italiane që Shehaj ka publikuar, vila e deklaruar prej tij në ILDKPI, e shitur 15 milionë euro, është një pronë e blerë në vitin 2019 dhe më pas e rindërtuar një vit më vonë, me të paktën 4 milionë euro të tjera. Po ashtu Shehaj ka publikuar edhe të dhënat në lidhje me një tjetër vilë, të cilën Balla e publikoi pak ditë më parë.

“Po bëj atë që s’ka bërë asnjë politikan tjetër në të gjithë historinë e Shqipërisë: Transparencë totale në lidhje me pronat e mia. Këtë pronë në Itali e kam blerë në 2019-ën, 2.9 milionë euro. Në 2020-ën kam marrë një leje ndërtimi për të ndërtuar një vile prej 500 m2 pothuajse. Kam investuar 4 milionë euro në rindërtimin. Këtu janë deklaratat e pasurisë ku janë të gjitha të deklaruara dhe në 2025-ën e kam shitur 15 milion euro. Çdo gjë është e kontrolluar sidomos në Itali ku askush nuk të fal. Nëse nëse shkel ligjin, të fusin në burg. Këtë vilë e kam blerë 10 milionë euro, është më e madhe, kuptohet, do ta investoj dhe mund ta shes edhe 25 mln euro, po e shita mirë po nuk e shita do ta mbaj për vete.

Unë nuk kam nevojë të fsheh asgjë sepse paratë i kam bërë me punë të ndershme kurse ata kanë vjedhur popullin më të varfër në Europë dhe janë tërbuar, janë çmendur kanë filluar të më sulmojnë duke shpifur. E shiti 15 mln euro, pastroi paratë, ja ti vemi me kamera, por unë i sfidoj: Dilni dhe bëni të njëjtën gjë!

Na sulmojnë sepse iu ka dalë boja, iu ka ardhur fundi. Po përdorin të gjithë makinerinë e propagandës që kanë. Por nuk kanë për t’ja dalë sepse njerëzit e kanë të qartë, unë fëmijët e mi i kam rritur me punë të ndershme, kurse ata i kanë rritur me paratë e qytetarëve shqiptarë, e popullit më të varfër në Europë”, u shpreh Shehaj.