...
Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare është shoqëruar me debate, pas PS nuk pranon kërkesën e PD për zhvillimin e mocionit me debat në lidhje me protestën dhe kërkesat e qytetarëve.
“Ky Parlament është totalisht jashtë realitetit. Nëse ju, si mazhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, dhe që kanë kërkesa konkrete”, mësohet të ketë thënë deputetja demokrate, Jorida Tabaku.
“Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian. Ju e keni raportin dhe po jua citoj këtu. Është Parlamenti Europian që ka diskutuar për zgjedhjet dhe për korrupsionin. Ka diskutuar për imunitetin e Belinda Ballukut dhe ka dënuar mbrojtjen politike që ju i garantuat. Protestuesit flasin për gjendjen e vështirë ekonomike, një shqetësim që është ngritur edhe nga partnerët tanë europianë. Ata kanë folur edhe për ligje që e trajtojnë pronën publike si plaçkë korrupsioni. Keni ligjin për investimet strategjike, të cilin prej 10 vitesh vazhdoni ta shtyni. Ndërkohë, nuk keni asnjë investim strategjik të mirëfilltë, por vetëm të ashtuquajtur investitorë që janë klientët tuaj. Prandaj, dëgjoni zërin e protestuesve dhe hiqni dorë nga sulmet ndaj tyre”.
“Taulant Balla vjen këtu dhe thotë të pavërteta. Është ai që në seancë ka thënë se mund të zhvillojmë një mocion me debat për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë edhe pa u miratuar më parë atje. Tani që raporti është miratuar, thotë se nuk mund të zhvillohet. Ju doni ta shmangni debatin mbi këtë raport, sepse ai ju nxin. Ndryshe nga sa përpiqeni ta paraqisni ju. Nëse është ashtu siç keni thënë, një medalje për qeverinë, hajde ta diskutojmë. Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian? Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë. Gjeni paragrafin që ju vlerëson. Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që, sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë. Atëherë pse fshiheni?”, mësohet të ketë thënë Gazment Bardhi.
“Apo e vërteta është një tjetër? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund. Ajo flet për ligje korruptive. Ju tërheq vëmendjen për mbrojtjen politike që i bëtë korrupsionit të Belinda Ballukut. Ju kritikon ashpër sa i përket ligjeve me porosi dhe ligjeve klienteliste. Ngre alarmin për lirinë e medias. Ju nuk mund ta mohoni këtë debat parlamentar. Keni qenë vetë ju, e përsëris, që në seancë keni thënë se debati parlamentar do të zhvillohet pasi raporti të miratohet në Parlamentin Europian. Kjo është një detyrë që ne duhet ta bëjmë. Nëse ky Kuvend nuk e ka thjesht propagandë integrimin europian, atëherë e ka detyrë të zhvillojë këtë debat”.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kundërshtoi kërkesat e paraqitura nga opozita, duke argumentuar se ato nuk përmbushin kriteret e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutë. Balla deklaroi se kërkesa e depozituar nuk mbështetet në nenin 98, ndërsa sugjeroi që opozita mund të përdorë nenin 101 për një mocion mosbesimi, por duke propozuar njëkohësisht edhe një kryeministër të ri.
“Kërkesa nuk përmbush kriteret e nenit 98. Mund ta bazoni në nenin 101 mocionin e mosbesimit. Duhet të propozoni edhe një Kryeministër të ri. E keni ju këtë?”, u shpreh ai.
Duke iu referuar protestës së opozitës, Balla akuzoi deputetët opozitarë se po deformojnë kërkesat e protestuesve dhe po flasin në emër të tyre pa pasur legjitimitet. “Pse ia deformoni kërkesat protestuesve? Ju thoni pesë kërkesa, por vetëm njëra përputhet me ato që janë bërë publike. Rrëzimi i qeverisë, qeveri teknike, ligji për partitë politike e të tjera janë deformime të kërkesave të protestës”, tha Balla.
Ai shtoi se opozita nuk mund të konsiderohet përfaqësuese e protestuesve, duke vënë në dyshim edhe organizimin e protestës. “Ne nuk ju njohim si përfaqësues të protestës. Ju nuk jeni koka e protestës. I kemi parë protestat tuaja dhe e dimë çfarë mund të bëni ju. Për pasojë, nuk ju pranojmë fare si përfaqësues të protestës”, deklaroi Balla.
Në fund, ai kujtoi edhe kufizimet procedurale për interpelancat parlamentare, duke theksuar se gjatë të njëjtit sesion parlamentar nuk mund të zhvillohen dy interpelanca për të njëjtën çështje. “Ju e dini që neni 89, që rregullon interpelancat, nuk lejon zhvillimin e dy interpelancave për të njëjtën çështje brenda një sesioni parlamentar. Ju mund ta tërhiqni dhe ta riformuloni kërkesën”, përfundoi Balla.