... Nami.al

Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut në protestat e Tiranës, Rama: Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat e zhvilluara në Tiranë kundër qeverisë.

Duke shpërndarë një postim të një qytetareje nga Tetova, Rama theksoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë, ashtu siç nuk mund të konsiderohen të tillë as shqiptarët e Kosovës.

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj. Së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj. Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë kritikoi ashpër ata që, sipas tij, kanë organizuar ardhjen e protestuesve nga Prishtina dhe Tetova në Tiranë, duke i cilësuar pjesëmarrësit si “viktima të zellshme” të karvaneve politike.

Sipas Ramës, përdorimi i flamujve kombëtarë dhe simboleve shqiptare në protesta për të kërkuar rrëzimin e qeverisë së Shqipërisë dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Ai hodhi akuza edhe për financimin e këtyre lëvizjeve, duke deklaruar se sponsorët e tyre po shpenzojnë para vetëm për të dëmtuar imazhin e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në reagimin e tij, kryeministri u ndal edhe te përdorimi i flamurit të UÇK-së në protestë, duke e cilësuar këtë një “përdhosje” të simbolit të luftës çlirimtare.

Në fund të postimit, Rama kërkoi që deklarata e tij të mos interpretohet si një sulm ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ai theksoi se nuk e konsideron Kurtin përgjegjës për aktivistët e Vetëvendosjes që, sipas tij, janë përfshirë në protestë.

“Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe”, përfundon reagimi i kryeministrit.

Reagimi i plotë i Ramës:

Nuk e njoh zonjën, po më çoi dikush këtë postim që më nxiti shënimin më poshtë:

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj!

Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur.  

Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:

Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?

Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.

Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse. Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës: 

“Ju rrugaça e sallahana,

vagabonda shakllabana,

rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni n’mushkni…”

Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme.