... Nami.al

“Nga liberalët, tek marksistët, nacionalisti dhe filo-greku” – Gazetari: Një koalicion i çuditshëm, që nuk e ka me Ramën, por me Shqipërinë

Gazetari dhe analisti nga Kosova, Berat Buzhala ka qenë së fundmi në Zvërnec, në fshatin që për momentin është kthyer në një nga pikat më të përfolura në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, për shkak të diskutimeve rreth një investimi të madh turistik.

Në një analizë të gjatë në rrjetet sociale, ai ka komentuar edhe protestat e ditëve të fundit, të cilat nga Zvërneci janë zhvendosur tashmë në Tiranë dhe janë bërë më masive. Këto protesta, Buzhala i ka “përkthyer” si lëvizje shumë më komplekse, ku janë bashkuar motive të ndryshme dhe shpesh të kundërta pes tyre.

“Dua të them diçka që nuk po nënvizohet mjaftueshëm përgjatë ditëve të fundit. Kjo që po shohim këtu nuk është një protestë për të mbrojtur ambientin, për të rrëzuar Edi Ramën apo për promenadën. Për mendimin tim është shumë më e komplikuar.

Protesta është zhvilluar si një kishë politike, xhami politike. Për mendimin tim, secili protestues po shkon aty për hallin e vet. Secili besimtar i kësaj proteste po shkon aty me hallin e vet, me lutjen e vet, me inatin e vet, me frikën e vet dhe po shpreson që në fund, kur të ndodhë përmbysja e madhe politike, Zoti politik shpreson që t’ia plotësojë atij”, ka thënë Buzhala i cili më tej gjatë fjalës së tij është ndalur dhe të emra konkretë e figura të njohura pubike të cilat janëb ërë pjesë e debatit këto ditët e fundit.

Ai është ndalur te Arlind Qorri, të cilin e përshkruan si përfaqësues të një qasjeje më radikale kundër sistemit ekonomik dhe kapitalizmit në tërësi, jo domosdoshmërisht vetëm kundër një projekti konkret. Më pas përmend edhe Alfred Cakon dhe Sazan Gurin, duke i lidhur me një diskurs që, sipas tij shpesh zhvendoset nga çështja konkrete drejt narrativave më të gjera dhe më virale në rrjete sociale.

Thelbi i analizës së tij është se kjo nuk është një bashkim për një ide të përbashkët për Shqipërinë e së nesërmes, por një “koalicion negativ”, i bashkuar vetëm kundër një pushteti të sotëm. Sipas tij, në të njëjtin shesh bashkohen ambientalistë, opozitarë, nostalgjikë të sistemeve të vjetra, radikalë ideologjikë dhe figura që kërkojnë vëmendje mediatike, por secili me synim krejt të ndryshëm.

Pjesë nga fjala e Buzhalës:

Ndodhem në Zvërnec, në fshatin më të famshëm në krejt trojet shqiptare, ama për të cilin fshat shumica prej jush para një jave nuk e dinit që ekziston. Një protestë që ka filluar këtu për të ndaluar zhvillimin e një projekti turistik. Dua të them diçka që nuk po nënvizohet mjaftueshëm përgjatë ditëve të fundit. Kjo që po shohim këtu nuk është një protestë për të mbrojtur ambientin, për të rrëzuar Edi Ramën apo për promenadën. Për mendimin tim është shumë më e komplikuar.

Protesta është zhvilluar si një kishë politike, xhami politike. Për mendimin tim, secili protestues po shkon aty për hallin e vet. Secili besimtar i kësaj proteste po shkon aty me hallin e vet, me lutjen e vet, me inatin e vet, me frikën e vet dhe po shpreson që në fund, kur të ndodhë përmbysja e madhe politike, Zoti politik shpreson që t’ia plotësojë atij.

Një banor tjetër del të mbrojë pronën. Agroni me Eraldin nuk e duan Edi Ramën, e duan transparencën dhe dalin në protestë, por në të njëjtin shesh vjen edhe ai që ka nostalgji për të kaluarën komuniste, jo se ia ndjen shumë për natyrën, por nuk e do kapitalizmin. Nuk i pëlqen që dikush të investojë dhe të fitojë, që të ketë njerëz të pasur dhe të varfër, siç është Arlind Qorri, i cili po proteston kundër vitit 2026. Ai në fakt nuk po proteston kundër një resorti, ai ka mundësi që po proteston kundër vitit 2026.

Pastaj vjen Alfred Cako dhe Sazan Guri. Nuk e kanë hallin te projekti, as te lejleku dhe as te pelikani. E kanë hallin te algoritmi, te reach-i në rrjetet sociale, sepse e dinë që çdo temë që i përfshin hebrenjtë brenda shkon flakë në rrjetet sociale.

Pastaj vjen edhe nacionalisti fqinj, që nuk e shqetëson shumë investimi në vetvete; e shqetëson precedenti i investimit, sepse nëse ky investim ndodh nga familje kaq të fuqishme, frikësohet që do të vijnë investime të tjera.

Pra, nuk e kanë me Ramën, por me Shqipërinë. Nuk janë bashkuar për të njëjtën Shqipëri nesër, por janë bashkuar kundër të njëjtit pushtet sot.

Këtu kemi të bëjmë me një koalicion negativ. Nuk janë bashkuar për të njëjtën ide të Shqipërisë së nesërme, janë bashkuar kundër të njëjtit pushtet sot. Kanë hipur të gjithë në të njëjtin autobus, ama secili mendon që autobusi në fund ka për t’u ndalur para shtëpisë së tij.