...
Një grup i shpërndarjes së drogës u godit nga Policia e Elbasanit, duke çuar në pranga 16 anëtarë, ndërsa 8 prej tyre janë shpallur në kërkim.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në bashkëpunim me blutë e Elbasanit zbritën në terren që në orët e para të mëngjesit të 2 majit për ekzekutimin e masave të sigurisë, 24 në total.
Gjatë operacionit u kapën 8 anëtarë të bandës, ndërsa 8 të tjerë janë arrestuar gjatë periudhës hetimore 1-vjeçare, me agjentë të infiltruar e pamje filmike. Mes të arrestuarve janë: Agron Biba, Rinor Hajdari, Indrit Shahinaj, Lulezim Feta dhe Mynyr Çepi.
Ndërkohë, 8 persona të tjerë janë ende në kërkim. Policia po ashtu ushtroi kontrolle në 27 banesa e lokale. Policia e Elbasanit thotë se sekuestruan 9 kg kanabis, e ndarë në doza gati për shitje, 100 gram kokainë, gjithashtu e ndarë në doza, 5 peshore, 7 automjete dhe 17 aparate celularë.
Elbasan
Finalizohet operacioni policor i koduar “Grupi”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qarkun Elbasan.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Në kuadër të operacionit, nga Prokuroria Elbasan janë lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi.
Ekzekutohen 16 urdhra ndalimi, (8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë operacionit të sotëm dhe 8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë periudhës hetimore njëvjeçare).
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen edhe të 8 shtetasve të tjerë, të cilët gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa.
Ndërkohë, gjatë operacionit të zhvilluar ditën e sotme, është kapur edhe 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe është arrestuar në flagrancë një shtetas tjetër për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, rreth 100 gram kokainë, një pjesë gati për shitje, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 aparate celularë.
Strukturat për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale prej disa muajsh, finalizuan operacionin policor të koduar “Grupi”, që kishte në fokus goditjen e shtetasve të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytetet Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas.
Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm, u bë e mundur ekzekutimi i 8 urdhrave të ndalimit për shtetasit I. Sh., 38 vjeç; R. Z., 52 vjeç; G. Ç., 23 vjeç; A. B., 49 vjeç; N. S., 39 vjeç; L. F., 33 vjeç; J. I., 31 vjeç dhe M. Ç., 32 vjeç.
Gjithashtu, gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. H., 39 vjeç, si dhe u kap shtetasi në kërkim P. Q., 54 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u ekzekutuan 27 vendime të Gjykatës për kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme.
Strukturat e Hetimit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.