...
Donald Trump ka në tryezën e tij plane ushtarake për eliminimin e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollahut Ali Khamenei, djalit të tij Mojtaba dhe krerëve të tjerë të lartë fetarë të Republikës Islamike.
Kështu shkruan portali Axios që citon burime pranë administratës amerikane. Ky opsion ekstrem i është paraqitur Presidentit si pjesë e një sulmi ushtarak për ndryshimin e regjimit, në rast se diplomacia dështon përfundimisht.
Presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se është i lodhur nga lojërat e Teheranit dhe mund të autorizojë një sulm në çdo moment.
Shenjë e shtimit të mundësive për sulm ushtarak janë edhe këta 7 avionë të transportit të rëndë të ushtrisë amerikane, që kanë mbërritur në bazën e Azoreve në Portugali.
Paralelisht, SHBA po mbajnë hapur një dritare të vogël negociatash. Administrata Trump është e gatshme të pranojë një marrëveshje ku Iranit i lejohet një pasurim “simbolik” i uraniumit, por vetëm nëse vërtetohet se nuk ka asnjë shteg drejt bombës atomike. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, po nxiton të finalizojë një paketë propozimesh brenda 48 orëve për të shmangur atë që e cilëson si një “katastrofë rajonale”.
Situata mbetet tejet e tensionuar, ndërsa forcat ushtarake amerikane po shtohen me shpejtësi në rajon.
Në fuqi është ultimatumi 15-ditor që Trump i vendosi Iranit të enjten për arritjen e një marrëveshjeje.
Në të kundërt, sulmi amerikan mund të jetë i pashmangshëm, ndërsa Teherani kërcënon se konflikti mund të marrë përmasa të mëdha rajonale.