...
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzon kërkesën e kompanisë “Pegasus” të biznesmenit Janis Karathanos për kthimin e sendeve të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të hetimeve për koncesionin e laboratorëve.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurores Dorina Bejko, e cila kërkoi rrëzimin e kërkesës me argumentin se provat e sekuestruara duhet të mbahen nga organi i akuzës për efekt të hetimit që po zhvillohet.
Kujtojmë se hetimet janë zgjeruar në lidhje me koncesionet në fushën e shëndetësisë ku në ‘lupë’ është vendosur biznesmeni Klodian Allajbeu.
Bëhet fjalë për hetimin e Koncesionit të Laboratorëve në Shëndetësi mbi 100 milionë euro, teksa janë sekustruar dokumente, celularë, kompjutera dhe materiale të tjera të vlefshme për hetim.
Përveç kontrolleve të ushtruara në ambientet e shoqërisë “Evita” sh.p.k., kompani në pronësi të Allajbeut, i lidhur me Spitalin Amerikan, SPAK dhe BKH kanë zhvilluar një aksion edhe në kompleksin ‘Equos Resort’ dhe në kompaninë ‘Pegasus’ të biznesmenit Janis Karathanos.
Pegasus është shoqëria mëmë e AB Laboratory Solution BV. Si Labopharma ashtu edhe Pegasus kanë bërë kërkesa të veçanta në GJKKO për kthim të sendeve të sekuestruara.