
...
Në seancën e radhës në GJKKO për “Plumbin e Artë”, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani u përball me Petrit Qolin.
Në përplasjen e tyre brenda sallës, Dumani ka hedhur akuza ndaj Qolit, teksa ky i fundit mohon përfshirjen e tij në ngjarjet kriminale.
Ndërkohë Petrit Qoli, gjatë fjalës së tij, nuk i kurseu akuzat në drejtim të SPAK, policisë edhe të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumanit duke e akuzuar se ka vrarë njerëz për “disa topa me letra (lekë)”.
Pjesë nga debati:
Dumani: Festim Qoli më premtoi 40 mijë euro dhe, po ashtu, do të përfshihesha edhe në trafikun e kokainës. E dija që Petrit Qoli merrej me biznes. 30 mijë euro m’i ka dhënë Petrit Qoli disa ditë pas ngjarjes. 10 mijë euro i mora paradhënie nga Festim Qoli.
Petrit Qoli: Kush ishte dëshmitar i takimit tonë pas ngjarjes te lokali? Një dëshmitar të më gjeni, unë dua varje franceze në gijotinë.
Dumani: Ky ka ndërtuar xhami, por me hip majë minares është rrezik se bie poshtë. Ky ka ndihmuar njerëz, po ka ndihmuar edhe një turk në 2014 të shkonte në fund të detit, por s’ia di emrin atij turkut. Fatmira Deda, që ditën e parë kur u vra Ervis Deda ose Losha, bënte përgjegjës të dy vëllezërit, Petrit dhe Festim Qoli, për vrasjen e djalit të saj.
Petrit Qoli: Kam 3 faqe hyrje kam, po nuk ju binda që jam i pafajshëm, atëherë unë jam krijesa më e shpifur në gjithë tokën shqiptare.
Petrit Qoli: Ditën kur ka dëshmuar para jush, mos ka qenë i sëmurë? Ka qenë konfuz, s’ka qenë në rregull. Në seancat e para sytë i shkëlqenin. Se shpëtove nga vdekja apo se fute në burg njerëzit që urreje, cili nga këto është i vërtetë? Ku ishe ti kur prisje SMS nga Agroni?
Dumani: Unë e kam sqaruar, kam vajtur afër pallatit para se të më vinte SMS nga Agroni.
Petrit Qoli: Vetëm atë ditë të ka dërguar SMS?
Dumani: Jo, edhe herë të tjera.
Petrit Qoli: Pse ju ka dështuar plani?
Dumani: Nuk ka dështuar plani, thjesht s’kemi qenë gati.
Petrit Qoli: Unë jam kapiten, jam kapo. Pse s’më ke kërkuar ndihmë ti mua? Kur dikush më detyrohet mua, unë i nxjerr sytë. Pse s’më ndihmon? Pse nuk i tregon prokurorit që ke lindur me bir në zemër? Ka lindur me defekt. Verifikojeni, e nderuar trup gjykues, është operuar në Francë nga zemra. Ky e ka babën burrë me vlera, fati i tij i keq. Ti je i ndyrë, për ca topa letre ke vrarë njerëz.