...
Gjatë orëve të paradites, Policia e Tiranës ka gjetur motoçikletën me të cilën dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes autori i vrasjes së Bujar Nasufit.
Motoçikleta është gjetur e shkrumbuar në zonën e Kodrës së Diellit, ndërsa është dërguar për ekspertizë, me shpresën se mund të gjenden prova. Gjithsesi, për shkak të flakëve, shpresat janë të pakta.
“Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njoftoi sot policia e Tiranës.
Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Bujar Nasufi, pronar mobilerie, u ekzekutua mbrëmjen e djeshme teksa po hynte në shtëpinë e tij në zonën e Pallatit me Shigjeta.
Deri më tani pista ku dyshohet për vrasjen, është konflikti brenda farefisit për çështje pronash. 56-vjeçari nuk ishte person me të shkuar kriminale.
Autori ishte maskuar si shpërndarës picash, teksa iu afrua Nasufit dhe e qëlloi të paktën 6 herë.