... Nami.al

Nga mjedisi te strehimi social, cilat janë vendimet që miratoi sot qeveria

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme disa vendime dhe projektligje që lidhen me mjedisin, rindërtimin, sigurinë publike dhe taksat.

Ndër vendimet e miratuara është lista e veprimtarive që konsiderohen të rrezikshme për mjedisin.

Gjithashtu, qeveria ka përcaktuar kriteret për vlerësimin e kërcënimeve të mundshme dhe dëmeve që mund t’i shkaktohen mjedisit.

Ndryshime janë bërë edhe në vendimet që lidhen me zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak, si dhe me përdorimin e fondit të rindërtimit për forcimin e banesave në Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë.

Qeveria ka miratuar gjithashtu kriteret për dhënien e medaljes së Shërbimit të Rendit Publik.

Në mbledhje janë miratuar edhe disa projektligje për marrëveshjet e Shqipërisë me Lituaninë dhe Gjermaninë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal.

Një tjetër projektligj parashikon ndryshime në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje.