...
Kreu i PD, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp nga selia blu, tha sot se Alqi Bllako është emëruar këshilltar i presidentit Bajram Begaj, pas lirimit nga burgu për aferën e inceneratorëve.
Duke iu referuar rastit të Bllakos, Berisha tha se edhe arrestimi i Ergys Agasit, mund të ketë qenë i negociuar nga kryeministri Edi Rama, duke i premtuar biznesmenit favore në këmbim.
“Në rast se ky është një arrestim i negociuar, nuk ka diskutim që është një arrestim i negociuar nga Edi Rama. Dhe pastaj bëhet një proces si në rastin e Ilir Beqajt, që i thonë ke ngrënë një drekë me paratë e evropianëve në restorantin tënd dhe dënohesh me kaq, paçka se në anën tjetër janë 300 milionë koncesionet e shëndetësisë dhe nuk thuhet një fjalë. Madje edhe ai zëvendësministri, që e kishte si kushëri ky, u lirua fare.
Pra, kemi të bëjmë me një rast ku Edi Rama arrin nëpërmjet kontrollit që ka me SPAK-un ta ripërsërisë… apo të bëjë siç bënë me Alqi Bllakon. A e di ku është sot Alqi Bllako? Është këshilltar i Haram Begajt, i dënuar me burg për vjedhjet që ka bërë në djegësat, tani është këshilltar i Bajramit.
Kush paguan më shumë, shkon më lart. Nuk ka këtu”, u shpreh Berisha.
Presidenca ndërkohë ka reaguar direkt, duke theksuar se Bllako nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje me institucionin.
“Në përgjigje të interesit të gazetarëve lidhur me pretendimin se zoti Alqi Bllako është këshilltar i presidentit të Republikës, saktësojmë se zoti Alqi Bllako nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është këshilltar i presidentit të Republikës dhe nuk ka asnjë marrëdhënie me këtë institucion.
Zyra e Shtypit e Presidencës e bën këtë sqarim për të shmangur çdo keqinformim lidhur me përbërjen e kabinetit të Presidentit të Republikës”, thuhet në reagim.
Alqi Bllako, ish-deputet i LSI dhe PS, u dënua në lidhje me inceneratorin e Tiranës, dhe la qelinë në muajin Nëntor të vitit të kaluar.
Gjykata e Posaçme e dënoi ish-deputetin me 4 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj burg.
Përveç dënimit me burg, Alqi Bllakos iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.