... Nami.al

Përveç zjarrit, tjetër rrezik në Krujë, gurët shkëputen nga mali dhe bien në rrugë

Një situatë e vështirë është regjistruar gjatë ndërhyrjes për shuarjen e zjarrit në lagjen Abaze të Krujës, ku banorët e zonës dhe forcat e emergjencës janë përballur me rrezik të shtuar.

Për shkak të temperaturës së lartë dhe djegies së masivit pyjor, disa gurë të mëdhenj janë shkëputur nga mali dhe kanë përfunduar në rrugë. Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.

Qyteti i Krujës ka qenë një prej zonave më të prekura nga zjarret në këtë sezon veror. Përgjatë dy ditëve të fundit, situata ka qenë tepër problematike në Abaze dhe Boja ku flakët kanë kërcënuar seriozisht zonat e banuara duke çuar dhe në evakuim të banorëve.

Banorët dhe forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e vatrave të mbetura aktive, me qëllim parandalimin e rindezjes së zjarrit gjatë natës.

Deri më tani flakët në Krujë kanë shkrumbuar sipërfaqe të konsiderueshme toke, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar apo banesa të dëmtuara.