... Nami.al

LDK tërhiqet nga marrëveshja me Albin Kurtin dhe zhyt edhe më keq në krizë Kosovën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë një hap pas në negociatat politike për zgjidhjen e ngërçit institucional në Kosovë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij tërhiqet nga të gjitha kërkesat për marrëveshje, duke ia lënë përgjegjësinë për zgjidhjen e situatës Lëvizjes Vetëvendosje.

“Le t’i mbajë të gjitha Vetëvendosje”, mësohet të ketë deklaruar Abdixhiku, duke sinjalizuar një qëndrim të ri të LDK-së përballë zhvillimeve politike.

Pavarësisht tërheqjes nga kërkesat për një marrëveshje politike, Abdixhiku ka bërë të qartë se LDK-ja është e gatshme të marrë pjesë në votimin e një kandidati konsensual për President të Kosovës.

Pas një mbledhjeje tri-orëshe të Grupit Parlamentar, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij ka hequr dorë nga kërkesat për President dhe bashkëqeverisje të mundshme me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.

“Kemi hequr dorë nga të gjitha postet, qoftë kryetarin e Kuvendit, qoftë tri ministritë e ofertuara në takim me Kurtin, qoftë edhe postin e Presidentit. Ne mbështesim krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e një presidenti konsensual për ta zhbllokuar krizën”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë dhe do ta ushtrojë këtë përgjegjësi me dinjitet.

Ai ka thënë se LDK-ja është e gatshme të bisedojë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës.

“Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për partner, s’do ta ketë as si dekor. Do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, s’do ta shndërrojmë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”, tha Abdixhiku.