...
Shqipëria do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta, duke sjellë temperatura të larta në të gjithë territorin.
Sipas parashikimit meteorologjik për sot, 10 gusht, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me alternime të vranësirave të pakta deri mesatare gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, veçanërisht përgjatë relieveve malore në jug të vendit.
Në juglindje, vranësirat do të jenë herë pas here më të dendura, por do të mbeten kalimtare. Pas orëve të pasdites, moti pritet të kthjellohet në të gjithë territorin.
Reshjet e shiut do të jenë lokale dhe me intensitet të ulët gjatë mesditës dhe pasdites në jug të vendit. Në zonat malore nuk përjashtohen shtrëngata të shkurtra dhe të izoluara.
Era do të fryjë nga kuadrati veriperëndim–verilindje, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Herë pas here, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të fitojë shpejtësi deri në 14 m/s.
Në det, valëzimi do të jetë i forcës 1–3 ballë.