... Nami.al

Edhe takimi i tretë Kurti–Abdixhiku mbyllet pa marrëveshje

Ka përfunduar pa marrëveshje edhe takimi i tretë në mes të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Takimi nuk ishte njoftuar paraprakisht. Abdixhiku kishte mohuar se do ta takonte Kurtin të mërkurën. Megjithatë takimi ndodhi.

Pas takimit, Kurti, shkurtimisht deklaroi se nuk ka lajme të reja, meqë edhe sot takimi u përmbyllë pa një marrëveshje politike.

“S’kemi lajme përderisa s’kemi marrëveshje. Kur ta realizojmë marrëveshjen do të mund të ju njoftojmë”, tha Kurti shkurtimisht.

Ndërkohë Abdixhiku është larguar nga Kuvendi i Kosovës – aty edhe ku u mbajt takimi i tretë – pa dhënë deklarata për mediat.

Kurti e Abdixhiku janë takuar pas mbledhjes që pati Grupi Parlamentar i LDK-së.

Pa asnjë marrëveshje politike përfundoi edhe takimi i dytë në mes të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, takim ky i cili zgjati rreth tri orë.

Ndonëse marrëveshje politike nuk pati, të dy liderët paralajmëruan vazhdimin e bisedimeve për formimin e institucioneve të reja të vendit, edhei pse 6 gushti është caktuar si dita e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike, e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës”, tha Kurti.

Ai shtoi se koha për arritjen e një marrëveshjeje është shkurtuar dhe pa të, vendi rrezikon sërish të shkojë në zgjedhje.

Shkuarjen në zgjedhje e paralajmëroi edhe Abdixhiku.

“Nëse s’bëjmë asgjë, i vetmi skenar i garantuar janë zgjedhjet e reja”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, LDK-ja kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve.

Si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, deklaruan se në takim nuk është diskutuar për emra konkretë për presidentin, por Kurti insistoi në një president konsensual.

Sipas tij, presidenti i ri i vendit nuk duhet të paraqesë polin e katërt të pushtetit, të mos jetë “i përfshirë në polemikat ditore”.

“Jemi të interesuar dhe të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në, sa i përket presidentit qëndrimi ynë është që nuk do të duhej të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Unë nuk mund të sjellë emër konkret, sepse ai do të duhej të ishte konsensual, gjithpërfshirës, të mos ishte i LVV-së”, tha Kurti.

Në anën tjetër për Abdixhikun, presidenti është kushdo që i ka 80 vota në kuti.

Abdixhiku tha se janë pajtuar që nëse nuk arrihet marrëveshje deri në seancën konstituive, më 6 gusht, mund të vazhdojnë bisedimet, pasi ai u shpreh se partia e tij nuk është e interesuar për kryetarin e Kuvendit.