...
Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është shoqëruar me tensione në përfundim të saj, pasi ish-kandidatja për deputete, Ilirjana Kuçana, është përplasur verbalish me kreun e PD-së, Sali Berisha.
Fillimisht, Kuçana kërkoi të merrte fjalën, por nuk u lejua. Më pas, ajo akuzoi Berishën se ka shkelur statutin e Partisë Demokratike.
Nga ana e tij, Berisha i kërkoi ish-kandidates të respektojë rregullat dhe statutin e partisë, duke theksuar se paraqitja e rezolutave ka procedurat e saj.
Kuçana: Të lutem, kam një kërkesë që e kam depozituar 24 orë më parë. Ne jemi anëtarë të Këshillit Kombëtar. Të lutem, zbatoje statutin.
Berisha: Një minutë, më lër të flas. Paraqitja e rezolutave ka rregullat e veta. Do të kesh të drejtë të paraqitesh sa herë të duash, por vetëm sipas rregullit. Lexoje statutin.
Kuçana: Statutin e keni shkelur që në momentin kur keni përjashtuar 34 veta.
Berisha: Ilirjana, ke komunikuar me mua sot, të kam kthyer përgjigje dhe të kam thënë: ndiqe statutin.