...
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka konfirmuar kandidaturën e tij për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, duke u përballur në garë me Flamur Nokën.
Kandidatura e Korreshit u bë publike në minutat e fundit, përpara mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së. I pyetur nga gazetarët nëse kishte pasur kohë për të zhvilluar fushatë mes anëtarëve të Këshillit, Korreshi tha se nuk e konsideron të nevojshme një proces të tillë, pasi të dy kandidatët janë figura të njohura për demokratët.
“Është vendim i ditës së sotme”, u shpreh Korreshi.
I pyetur nëse vendimi ishte i tij, deputeti demokrat u përgjigj: “Nuk më detyron njeri. Na njohin. Lobimi është ajo çka ne përfaqësojmë me njëri-tjetrin. Të gjithë e dinë. Nëse ka ardhur koha që do ndryshojë, do ndryshojë”.
Korreshi nuk komentoi mbi hapat që do të ndërmerrte në rast se do të zgjidhej në postin e numrit dy të PD-së, duke u shprehur: “Të mbarojë njëherë votimi”.
Votimi në Këshillin Kombëtar do të përcaktojë nëse Flamur Noka do të vijojë të mbajë postin e Sekretarit të Përgjithshëm apo nëse Korreshi do të sjellë një ndryshim në drejtimin e strukturës organizative të partisë.