...
Vijon procesi gjyqësor ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të akuzuar për përfshirje në atentatin e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit, ku shënjestër ishte prokurori Arjan Ndoj dhe ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.
Në seancë, një pjesë e diskutimeve në gjykatë është përqendruar te komunikimet në Sky ECC, të cilat SPAK i ka përdorur si prova në dosje. Mbrojtja ka pretenduar se ka mospërputhje në komunikimet e administruara dhe ka ngritur pretendime mbi vlefshmërinë e tyre.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK kanë argumentuar se komunikimet janë të plota dhe se pjesa e tyre që lidhet me episodin e atentatit është e qartë dhe e dokumentuar.
Gjatë shqyrtimit të materialeve të dosjes, sipas akuzës, në komunikimet e atribuuara Amar Shkëmbit ka diskutime për gjetjen e vendeve më të përshtatshme për ekzekutimin e Rrumit, personit që dyshohet se ishte objektiv i një atentati të planifikuar.
Ndërkohë, avokati Saimir Visha ka kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë së disa procesverbaleve, kërkesë që gjykata e ka rrëzuar, duke argumentuar se ishte shprehur më herët gjatë seancës paraprake dhe e kishte gjetur të pabazuar.
Gjykata ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për pyetjen e ish-deputetit Halit Valteri si dëshmitar në këtë proces.
Sipas SPAK, Bledar Polovina dyshohet se ka qenë qitësi i dytë në atentatin e Shkozetit, ndërsa Amar Shkëmbi akuzohet për përfshirje në ngjarje.
Atentati ndodhi në nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit. Në ngjarje mbeti i vrarë Andi Maloku, ndërsa u plagosën prokurori Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho.