... Nami.al

Dha 4 mln euro për koncertin e Kanye West, Rama tregon të “vërtetën” e tij: Fajin e keni ju…

Kryeministri Edi Rama, duke folur për përfitimet konkrete të organizimit të një eventi të këtyre përmasave, si ai i koncertit të Kaney West, u shpreh se vlera e tij nuk matet vetëm me koston, por me ndikimin ekonomik dhe promovues që sjell. Ai theksoi më tej se organizimi i një koncerti të këtyre përmasave dërgon një mesazh të rëndësishëm për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

“Pyetja më e rëndësishme nuk është thjesht sa kushtoi, por sa vlerë krijon? Një investim vazhdon të prodhojë vlerë edhe pasi është bërë. Një koncert madhështor nuk lë pas vetëm një shenjë të bukur në kujtesën e atyre që e shijuan, por lë para në arkat e hoteleve, restoranteve plot, kafeneve, dyqaneve dhe sipërmarrjeve që merren me transportin, sigurinë e logjistikën.

Ai krijon fitime për biznesin, mundësi pune dhe të ardhura për shtetin përmes taksave mbi atë vlerë të shtuar, ndërsa miliona sy drejtohen nga Shqipëria. Ai i tregon botës se ky është një vend që edhe kur ka protesta, ka mikpritje dhe siguri; një vend ku mund të organizohen ngjarje të mëdha me profesionalizëm, një vend i lirë e demokratik, ku nuk duhet të kesh drojë të vish për pushime, të kthehesh sërish dhe madje të mendosh të investosh”, deklaroi Rama.

Rama ndalet edhe te ndikimi që, sipas tij, do të kishte pasur anulimi i koncertit në perceptimin e të huajve për Shqipërinë, veçanërisht në një periudhë kur vendi pret mijëra turistë.

“Parafytyroni si ka shkuar ky mesazh te të huajt që kanë rezervuar të vijnë javët dhe muajt në vijim dhe, ndërkohë, ishin duke menduar anulimin e rezervimeve për shkak të protestës. Merreni me mend çfarë impakti negativ do të kishte anulimi i koncertit më të madh që Shqipëria ka organizuar ndonjëherë, jo vetëm për turistët, por edhe për investitorët e huaj. Investimet e huaja shkojnë aty ku ka besim, energji, siguri, reputacion dhe një shoqëri që beson te e ardhmja e vet”, u shpreh ai.

Rama theksoi se Shqipëria duhet të ndryshojë mënyrën e të menduarit për investimet që lidhen me promovimin dhe zhvillimin e vendit.

“Shqipëria e sotme s’duhet të pyesë vetëm: ‘Sa kushton?’. Shqipëria e sotme, që synon Ligën e Kampionëve të Mesdheut turistik, duhet të pyesë: ‘Sa vlerë krijohet nga ky investim?’. Kush është i varfër në aspiratë është i dënuar të mbetet shumë më mbrapa se mundësitë që ai ka”, tha Rama.

Më tej, kryeministri u ndal edhe te debati për koston e organizimit të koncertit, duke iu përgjigjur kritikave për shumën prej 4 milionë eurosh.

“Dy fjalë për 4 milionë eurot: po, ato 4 milionë euro ishin investim, i bërë në minutën e fundit për të shpëtuar investime shumë më të mëdha për Shqipërinë, ekonominë e Tiranës dhe mijëra njerëz nga mbi 80 vende të botës që kishin prerë biletat për të ardhur këtu. Ishte një investim për të mos hapur një plagë të re mosbesimi ndaj një Shqipërie ku i kanë sytë të gjithë“, u shpreh Rama.

Ai shtoi se, sipas tij, këto para nuk do të ishin përdorur nga buxheti i shtetit nëse nuk do të ishte krijuar klima e tensionit dhe pasigurisë.

“E vërteta e 4 milionëshit është edhe më e plotë se kaq. Ato para nuk do të kishin dalë nga arka e shtetit po të mos ishin bërë kërcënimet, shantazhet dhe histeria e dhunshme e rrjeteve sociale”, deklaroi Rama.