... Nami.al

Srebrenica përkujton viktimat në 31-vjetorin e gjenocidit, rivarrosen mbetjet e 10 personave

Në Qendrën Memoriale të Potoçarit, në Srebrenicë, janë zhvilluar ceremonitë përkujtimore me rastin e 31-vjetorit të gjenocidit, ku janë varrosur mbetjet mortore të 10 viktimave të identifikuara.

Viktima më e re e rivarrosur këtë vit ishte Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975, i cili u zhduk në korrik të vitit 1995 në zonën e Bratuncit. Mbetjet e tij mortore u gjetën dhe u zhvarrosën në vitin 2022. Viktima më e moshuar ishte Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i zhdukur në zonën e Zvornikut.

Ceremonia e varrimit kolektiv u drejtua nga kreu i Bashkësisë Islame të Bosnjë-Hercegovinës, Husein Kavazoviq, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës dhe të së vërtetës historike.

“Misioni ynë nuk është vetëm të vajtojmë, por të kujtojmë dhe të flasim hapur për të vërtetën”, deklaroi Kavazoviq gjatë ceremonisë.

Më 11 korrik, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në vende të tjera të botës përkujtohen viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, ku gjatë verës së vitit 1995 u vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë.

Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviq, deklaroi se vrasjet masive në Srebrenicë ishin të planifikuara dhe të organizuara, duke fajësuar strukturat politike dhe ushtarake të Republikës Sërpska të asaj kohe.

Në Serbi, ndërkohë, një aktivitet përkujtimor në Beograd i organizuar nga organizata kulturore dhe shoqëria civile u anulua pasi shkrimtari Vlladimir Arsenijeviq, themelues i shoqatës “Krokodil”, u sulmua fizikisht para zhvillimit të aktivitetit.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se viktimat e Srebrenicës duhet të respektohen, duke deklaruar se përkujtimi i tyre është një detyrim njerëzor.

Edhe në Kosovë janë zhvilluar aktivitete përkujtimore për viktimat e gjenocidit. Përfaqësues të institucioneve kosovare kanë theksuar se mohimi i gjenocidit pengon drejtësinë dhe pajtimin.

Deri më tani, në Qendrën Memoriale të Potoçarit janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të tjera janë varrosur në vende të ndryshme sipas kërkesave të familjeve. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe zonat përreth vijojnë të figurojnë të zhdukur.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 konstatoi se në korrik të vitit 1995, në zonën e mbrojtur nga OKB-ja në Srebrenicë, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid. Gjykata gjithashtu përcaktoi se Serbia kishte dështuar në parandalimin e tij dhe në ndëshkimin e autorëve.

Për gjenocidin dhe krimet e luftës në Srebrenicë, më shumë se 50 persona janë dënuar nga gjykata të ndryshme me mbi 700 vite burgim. Mes të dënuarve me burgim të përjetshëm janë ish-udhëheqësi i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe ish-komandanti ushtarak Ratko Mlladiq.