...
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka rrëzuar kërkesat e 10 juristëve për t’u caktuar gjyqtarë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Anëtarët që paraqiten kërkesë për emërim, mes tyre dhe motra e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, paraqitën kërkesën për tu emëruar në Gjykatat e Apelit në Tiranë.
Paradoksalisht, kërkesa e tyre qëndronte në faktin se ata nuk do të kalonin procesin e vettingut, edhe pse kanë filtruar mbi 900 prokurorë dhe gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë.
Të 10 kandidatët kanë qenë komisionerë në organet e vettingut dhe me vendimet e tyre, kanë larguar nga sistemi i drejtësisë shumë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës, për shkelje të kritereve të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte, KLGJ mori edhe një sërë vendimesh të tjera, mes tyre miratimin e raportit të vlerësimit etik dhe profesional për gjyqtaren Brunilda Kadi, ricaktimin e gjyqtarit Sokol Ibi në Gjykatën Administrative të Apelit, si dhe shtyrjen e shqyrtimit të disa projektvendimeve që lidhen me vlerësimin e gjyqtarëve dhe buxhetin e gjykatave.
Njoftimi i plotë
Sot, më datë 10.07.2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. Brunilda Kadi, për vitin 2024.
Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit z. Adrian Shega për periudhën 2021-2023”.
Këshilli vendosi për caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor nr. 1/2026, të filluar ndaj magjistrates znj. Suela Dashi, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Këshilli vendosi për zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit të gjyqtarit z. Sokol Ibi.
Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për ricaktimin e gjyqtarit të skemës së delegimit z. Sokol Ibi, në Gjykatën Administrative të Apelit.
Këshilli vendosi rrëzimin e kërkesave, për caktimin në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për:
– znj. Suela Zhegu;
– znj. Firdes Shuli;
– znj. Alma Faskaj;
– znj. Brunilda Bekteshi;
– znj. Pamela Qirko;
– z. Olsi Komici;
– znj. Valbona Sanxhaktari;
– znj. Xhensila Pine;
– znj. Etleda Çiftja;
– z. Roland Ilia.
Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi për zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin znj. Merita Karaj në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve.
Më tej, Këshilli vendosi për deklarimin e përfunduar pa një vendim përfundimtar të procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidaten për në programin e formimit fillestar, në Shkollën e Magjistraturës, viti akademik 2026-2027, profili ndihmës ligjor, znj. Kledjana Llalla.
Këshilli vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit “Mbi rishpërndarjen (transferimin) e fondeve buxhetore në programin 03310, buxheti i gjykatave, në shpenzime korrente, për vitin buxhetor 2026”.
Në përfundim, Këshilli vendosi për miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 29.04.2026 dhe 06.05.2026.