... Nami.al

Deklarata e NATO-s lë pa përgjigje nëse Samiti i ardhshëm do mbahet apo jo në Shqipëri

Liderët e NATO-s kanë miratuar Deklaratën Përfundimtare të Samitit të Ankarasë, e cila riafirmon angazhimin e Aleancës për mbrojtjen kolektive, rritjen e investimeve ushtarake dhe mbështetjen afatgjatë për Ukrainën, por nuk përmend Shqipërinë si vend pritës të samitit të ardhshëm.

Në dokumentin e miratuar të mërkurën, aleatët theksojnë se mbeten të bashkuar përballë kërcënimeve ndaj sigurisë euroatlantike dhe konfirmojnë angazhimin për zbatimin e objektivave të reja të mbrojtjes.

Deklarata bën të ditur se vendet evropiane të NATO-s dhe Kanadaja kanë rritur gjatë vitit 2025 investimet në mbrojtje me mbi 139 miliardë dollarë, ndërsa në Samitin e Ankarasë u njoftuan edhe mbi 50 miliardë dollarë kontrata të reja për prokurime ushtarake dhe zgjerimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes.

Po ashtu, aleatët zotohen të vijojnë mbështetjen për Ukrainën, duke premtuar 70 miliardë euro ndihmë ushtarake, pajisje dhe trajnim gjatë vitit 2026, si edhe të ruajnë të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe në vitin 2027.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore, ndërsa i bëhet thirrje Teheranit të respektojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, ndryshe nga samitet e mëparshme, dokumenti nuk përcakton vendin ku do të zhvillohet takimi i ardhshëm i NATO-s.

Deklarata mbyllet vetëm me fjalinë: “Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare të Turqisë. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm”.

Në tekst nuk ka asnjë referencë për Shqipërinë, edhe pse në Deklaratën e Hagës ishte parashikuar që Tirana të ishte vendi pritës pas Turqisë.

Mungesa e këtij referimi vjen në një kohë kur brenda Aleancës po diskutohen mundësitë për rikthimin te organizimi i samiteve çdo dy vjet.

Më herët, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, deklaroi për Bloomberg se Shqipëria mbetet vendi i planifikuar për samitin e ardhshëm, por se ende nuk është vendosur nëse ai do të zhvillohet në vitin 2027 apo do të shtyhet për një vit më vonë.