...
Pasiguria dhe dështimi i procedurave tenderuese për fazën e parë të portit të ri në Porto Romano kanë diktuar një lëvizje të fortë në buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në aktin normativ për ndryshimin e buxhetin 2026 u shkurtuan thuajse tërësisht fondet e dedikuara për transportin detar, i cili reflekton drejtpërdrejt bllokimin e këtij projekti strategjik. Buxheti për këtë zë ka pësuar një shkurtim të ndjeshëm prej 98.4%, duke zbritur nga 14,9 miliardë lekë në vetëm 247 milionë lekë.
Ky ndryshim erdhi si pasojë e zhvillimeve të fundit negative, ku më 9 mars 2026, tenderi për fazën e parë u anulua pasi kompania e vetme në garë, Archirodon, u tërhoq nga procesi pa dorëzuar ofertën financiare.
Tërheqja e kompanisë u argumentua me rritjen e kostove të ndërtimit për shkak të pasigurisë globale, ndërsa procesi u shoqërua gjithashtu nga gjetje mbi mangësi në dokumentacionin e tenderit. Aktualisht, projekti është nën lupën e SPAK, i cili ka sekuestruar dokumentacionin pranë Autoritetit Portual të Durrësit për të verifikuar ligjshmërinë e procedurave të deritanishme.
Planet fillestare kishin parashikuar përfundimin e fazës së parë të portit brenda vitit 2025, një objektiv që tashmë ka dështuar.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se nuk ka një afat të ri për projektin, pasi po vlerësohet një plan i ri. Ndërkohë që qeveria ndodhet në proces bisedimesh për t’i dhënë zgjidhje këtij projekti strategjik shkurtimi i fondeve në buxhetin e shtetit dëshmon se realizimi i këtij porti mbetet një sfidë.
Projekti i portit të ri tregtar në Porto Romano është planifikuar si një investim me vlerë për fazën e parë prej rreth 400 milionë euro (pa TVSH). Financimi i këtij projekti është parashikuar të mbulohet nga buxheti i shtetit.
Gjithashtu, projekti parashikon krijimin e porti integruar që përfshin terminale, magazina, qendra shpërndarjeje dhe shërbime të vlerës së shtuar, duke u lidhur me Korridorin VIII dhe rrjetet hekurudhore që lidhin Shqipërinë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe rajonin më të gjerë. Pjesë e vizionit strategjik, pas kërkesave të qeverisë shqiptare drejtuar NATO-s, është edhe integrimi i një baze ushtarake të Aleancës brenda këtij porti.
Zhvendosja e terminalit tregtar në Porto Romano është e lidhur me planet e qeverisë për të shndërruar portin aktual të Durrësit në një qendër të rëndësishme turistike dhe rezidenciale.
Projekti “Durrës Yachts & Marina” zhvillohet nga kompania “Durrës Marina” sh.a., një ndërmarrje e krijuar si një partneritet publik-privat ku shteti shqiptar zotëron 33% të aksioneve. Investitori kryesor privat pas këtij projekti është Mohamed Alabbar, biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili operon përmes kompanisë Eagle Hills Real Estate Development.
Teksa vonesat dhe dështimi i proceseve tenderuese në Porto Romano po shtojnë rrezikun na zbatimin e planeve fillestare. Për sa kohë porti aktual mbetet funksional për tregtinë e mallrave për shkak të mungesës së një alternative, projektet turistike në zonën e portit të vjetër do të mbeten të bllokuara. Teksa kapaciteti për përpunimin e mallrave po rritet dhe gjithashtu investimet në korridorin 8 po vazhdojnë, ndërtimi i Portit të ri ka mbetur pezull./monitor.al