... Nami.al

Nisma e Kanadasë: Shqipëria mbështet bankën e re të mbrojtjes të NATO-s

Shqipëria është mes vendeve që mbështesin krijimin e Bankës për Mbrojtjen, Sigurinë dhe Qëndrueshmërinë (Defence, Security and Resilience Bank), një institucion i ri financiar shumëpalësh i iniciuar nga Kanadaja për të financuar investimet në mbrojtje dhe siguri.

Nisma u prezantua gjatë Samitit të NATO-s në Ankara nga kryeministri kanadez Mark Carney, i cili njoftoi se Shqipëria, së bashku me Belgjikën, Greqinë, Letoninë, Luksemburgun, Rumaninë, Turqinë dhe Ukrainën, do të kontribuojnë në hartimin e politikave dhe rregullave fillestare të bankës.

Sipas qeverisë kanadeze, banka do të mobilizojë kapital privat për të financuar projekte në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe rezistencës, duke mbështetur si qeveritë, ashtu edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që operojnë në industrinë e mbrojtjes.

Institucioni do të ofrojë financime afatgjata me kosto të ulët, garanci financiare dhe kredi për investime prioritare, me synimin për të forcuar kapacitetet prodhuese të vendeve anëtare dhe zinxhirët e furnizimit në sektorin e mbrojtjes.

Qeveria kanadeze thekson se nisma është një përgjigje ndaj sfidave të reja të sigurisë, të nxitura veçanërisht nga lufta në Ukrainë, dhe synon të rrisë investimet në teknologjitë e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial mes vendeve aleate.

Kanadaja ka ftuar tashmë vendet partnere të përfundojnë procedurat e brendshme për ratifikimin e marrëveshjes, me synimin që Banka për Mbrojtjen, Sigurinë dhe Qëndrueshmërinë të nisë funksionimin gjatë vitit 2027.

Samiti pritet të dominohet nga diskutimet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, forcimin e industrisë ushtarake dhe mbështetjen për Ukrainën, në një kohë kur administrata e presidentit amerikan Donald Trump po kërkon një angazhim më të madh financiar nga aleatët evropianë.

Përpara mbërritjes së liderëve, NATO organizon edhe një forum të industrisë së mbrojtjes, ku pritet të shpallen kontrata të reja ushtarake me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, si pjesë e përpjekjeve për të rritur kapacitetet prodhuese të Aleancës.

Në qendër të samitit do të jetë edhe objektivi për rritjen e investimeve në mbrojtje. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka kërkuar vendeve anëtare të paraqesin “plane të qarta, konkrete dhe të besueshme” për përmbushjen e objektivave të reja të shpenzimeve ushtarake.

Për Shqipërinë, samiti vjen në një moment të veçantë. Një vit më parë, në Samitin e Hagës, Aleanca njoftoi se Tirana ishte planifikuar të priste samitin pas Turqisë.

Megjithatë, sipas një draft-deklarate të cituar nga Reuters, referenca për Shqipërinë nuk figuron më në dokumentin që pritet të miratohet në Ankara. Burime diplomatike e lidhin këtë me debatet më të gjera brenda Aleancës mbi ndarjen e barrës së mbrojtjes dhe drejtimin që pritet të marrë NATO nën administratën Trump.

Qeveria shqiptare ka deklaruar ndërkohë se po përafron buxhetin e mbrojtjes me objektivat e Aleancës, ndërsa kryeministri Rama ka bërë të ditur se shpenzimet do të rriten në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, mbi pragun minimal prej 2 për qind të kërkuar nga NATO.

Në Ankara pritet të marrin pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian António Costa, si dhe liderë e ministra nga vendet partnere të Aleancës.(AP)