...
Kolegji Universitar “Bedër” pritet të mbyllë aktivitin e tij, sipas burimeve pranë institucionit.
Universiteti nuk do të hapë pranime për studentë të rinj në vitin akademik 2026–2027.
Ndërkohë, studentët aktualë do të vijojnë studimet sipas një plani tranzicioni deri në përfundimin e tyre.
Mësohet se studentët që kanë përfunduar ciklin e studimeve do të vazhdojnë normalisht procedurat e diplomimit, ndërsa ata që janë ende në proces studimi janë transferuar ose po transferohen në institucione të tjera të arsimit të lartë, shkruan vna.
Prej më shumë se një dekade, Ankaraja ka ushtruar presion mbi Shqipërinë për mbylljen e institucioneve që i konsideron të lidhura me lëvizjen e Fethullah Gylen, armikut politik të Erdoganit, të cilin Turqia e akuzon për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016. Qeveritë shqiptare, përfshirë edhe kabinetin Rama, nuk kishin pranuar deri më tani të ndërmerrnin një hap të tillë, duke e konsideruar çështjen si të brendshme.
Pikërisht për këtë arsye, përkimi i mbylljes së “Bedër” me vizitën e Ramës në Ankara ngre pikëpyetje politike. A është kjo thjesht një rastësi administrative, apo një sinjal ndaj presidentit turk në një moment kur marrëdhëniet mes dy liderëve duket se kanë kaluar një periudhë ftohtësie? Deri tani nuk ka një përgjigje zyrtare.
Deri në këtë moment, arsyet që kanë çuar në këtë vendim nuk janë bërë publike. Po ashtu, drejtuesit e Kolegjit Universitar “Bedër” nuk kanë dalë ende me një njoftim zyrtar lidhur me ndërprerjen e aktivitetit.
Ndërkohë, faqja zyrtare e universitetit vijon të jetë aktive, por deri më tani nuk ka asnjë njoftim. Në faqen zyrtare të institucionit nuk ka njoftime për hapjen e aplikimeve ose pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2026–2027, ndërsa pritet një reagim zyrtar në vijim.
Kolegji Universitar “Bedër” u themelua në vitin 2011 nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe funksionon si institucion jopublik, jofitimprurës i arsimit të lartë.