... Nami.al

Marjana Koçeku: Dhuna ndaj protestuesve tregon pafuqinë e qeverisë, asnjë pushtet nuk mbijeton me forcë

Deputetja Marjana Koçeku, e njohur si Neomalsorja, ka reaguar pas përplasjeve mes Policisë së Shtetit dhe protestuesve gjatë tubimit të zhvilluar para Parlamentit, duke kritikuar ashpër mënyrën e reagimit të autoriteteve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku u shpreh se e ka ndjekur me shqetësim dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, ndërsa akuzoi qeverinë se, në mungesë të argumenteve, po i përgjigjet pakënaqësisë qytetare me forcë.

“Në një shtet ku argumentet mbarojnë, mbeten vetëm shkopi i gomës, prangat dhe çizmja e policit. Por asnjë pushtet nuk e ka zgjatur jetën duke goditur qytetarët që kërkojnë të dëgjohen. Mjafton të shohim historinë për ta kuptuar këtë”, shkruan Koçeku.

Deputetja, e cila pak ditë më parë u largua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, shtoi se përdorimi i dhunës nuk është shenjë force, por dëshmi e pafuqisë së pushtetit për të bindur qytetarët.

“Një shtet që zgjedh t’i përgjigjet pakënaqësisë qytetare me dhunë, nuk demonstron forcë; demonstron pafuqinë e vet për të bindur,” thekson Koçeku.