... Nami.al

AGSH dënon sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestës para Parlamentit

Gjatë protestave të enjten para godinës së Parlamentit në Tiranë janë raportuar disa raste sulmesh dhe pengimesh ndaj gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve që po kryenin detyrën e tyre për të dokumentuar ngjarjet.

Incidentet, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), kanë përfshirë si ndërhyrje dhe përdorim force nga ana e policisë, ashtu edhe akte dhune apo intimidimi nga protestuesit, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve në terren dhe për ushtrimin e lirë të profesionit të tyre në kushte proteste.

Sulmet ndaj punonjësve të mediave kanë ardhur si nga Policia e Shtetit, ashtu edhe nga protestuesit.Sipas AGSH-së, disa nga rastet janë dokumentuar me pamje filmike, ndërsa janë regjistruar edhe episode ku protestues kanë ushtruar dhunë apo kanë penguar ekipet mediatike gjatë ushtrimit të detyrës.

Mbështetur në këto incidente AGSH dënon ashpër çdo formë dhune ndaj gazetarëve, duke theksuar se sulmet ndaj medias përbëjnë cenim të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.

Organizata thekson se gazetarët nuk janë palë në protestë, por janë në terren për të dokumentuar ngjarjet, ndaj siguria e tyre duhet të garantohet nga të gjitha palët.

AGSH i bën thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të nisë menjëherë hetime për përdorimin e mundshëm të pajustifikuar të forcës ndaj gazetarëve dhe të mbajë përgjegjës çdo efektiv policie të përfshirë.

Gjithashtu, u bën thirrje protestuesve të respektojnë punën e medias dhe të shmangin çdo formë intimidimi apo sulmi ndaj gazetarëve.

Dhjetëra qytetarë, për të dytën herë radhazi këtë javë, kanë protestuar në hyrje të Parlamentit duke hedhur vezë drejt deputetëve të Partisë Socialiste në pushtet, ndërkohë që vijojnë prej më shumë se një muaji protestat masive të përnatshme kundër qeverisë.