...
Pak më shumë se një vit pasi liderët e NATO-s shpallën se Shqipëria do të mirëpriste samitin e Aleancës pas Turqisë, ky skenar nuk duket më aq i sigurt.
Sipas një raportimi të fundit të Reuters, drafti i deklaratës që pritet të miratohet në samitin e Ankarasë më 7-8 korrik nuk përmend më mbajtjen e samitit të ardhshëm në Shqipëri, ndryshe nga deklarata e miratuar në Hagë një vit më parë.
Burime diplomatike të cituara nga agjencia britanike e lidhin këtë zhvillim me pakënaqësinë e administratës së presidentit Donald Trump për nivelin e shpenzimeve shqiptare në mbrojtje, por edhe me një klimë shumë më të gjerë tensioni brenda Aleancës.
Megjithatë, zhvillimet e javëve të fundit sugjerojnë se shpjegimi nuk kufizohet vetëm te shpenzimet e mbrojtjes.
Vetë NATO ka sqaruar më herët se Aleanca përdor një metodologji të unifikuar për llogaritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për të gjitha 32 vendet anëtare.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga NATO këtë vit, Shqipëria arriti pragun minimal prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen gjatë vitit 2025.
Ndërkohë, në një përgjigje për Reuters, qeveria shqiptare bëri të ditur se po finalizon masat e nevojshme fiskale për të përafruar shpenzimet e mbrojtjes dhe ato të lidhura me sigurinë për vitin 2026 me objektivat e dakordësuara nga aleatët në Samitin e Hagës.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi së fundmi se Shqipëria është angazhuar ta kalojë nivelin 2% këtë vit, duke theksuar se diferenca e vendeve që ende nuk e kishin arritur objektivin përbën një pjesë shumë të vogël të shpenzimeve totale të Aleancës.
Në të njëjtën linjë, vetëm një ditë më parë, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit mes kompanisë italiane Fincantieri, kompanisë shtetërore KAYO dhe Institutit Profesional “Pavarësia” në Vlorë, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të miratojë një akt normativ për ta çuar nivelin e shpenzimeve për mbrojtjen në 2.6%, duke e lidhur këtë me strategjinë për zhvillimin e industrisë ushtarake shqiptare dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
Në këtë kontekst, është e vështirë që mungesa e Shqipërisë në draftin e deklaratës të shpjegohet vetëm me nivelin e shpenzimeve për mbrojtjen. Ajo duket të jetë pjesë e një debati shumë më të gjerë mbi drejtimin që po merr NATO dhe marrëdhënien që administrata Trump synon të ndërtojë me aleatët evropianë.
Lufta mes Izraelit dhe Iranit e nxori më qartë në pah këtë përçarje.
Disa vende evropiane refuzuan të mbështesnin operacionet amerikane, duke mos lejuar përdorimin e bazave ushtarake apo të hapësirës ajrore për sulmet kundër Iranit.
Kjo shkaktoi reagime të forta në Washington dhe hapi diskutime mbi rishikimin e rolit amerikan në mbrojtjen e Evropës.
Në këtë klimë, raportimet e Politico-s zbuluan se një dokument i brendshëm i Pentagonit shqyrtonte edhe masa ndaj aleatëve që konsideroheshin “të vështirë”, mes tyre Spanja, ndërsa në administratën amerikane janë shtuar diskutimet për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Në të njëjtën kohë, samiti i Ankarasë po shoqërohet edhe me tensione të brendshme në disa vende anëtare.
Në Çeki, qeveria u detyrua nga gjykata t’i lejonte presidentit Petr Pavel të merrte pjesë në samit, por refuzoi t’i besonte drejtimin e delegacionit, duke ekspozuar ndarjet politike mbi politikën e mbrojtjes dhe raportin me NATO-n, në prag të një samiti që pritet të dominohet pikërisht nga debati mbi barrën e mbrojtjes dhe të ardhmen e Aleancës.
Ndërkohë, vetëm pak ditë para samitit, Donald Trump sinjalizoi një afrim të ri me presidentin turk Recep Tayyip Erdo?an.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë përkrah Mark Rutte, presidenti amerikan la të kuptohej se është i gatshëm të zbusë mosmarrëveshjen shumëvjeçare mbi sistemin rus S-400 dhe të rihapë diskutimet për rikthimin e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35.
“Ai është një anëtar i fortë i NATO-s. Me shumë gjasa do të bëj diçka që do ta bëjë shumë të lumtur”, deklaroi Trump për Erdo?an.
Në këtë kontekst, zgjedhja e Ankarasë si mikpritëse e samitit merr një peshë që shkon përtej aspektit organizativ. Për shumë diplomatë, ajo përfaqëson edhe një përpjekje për të ruajtur marrëdhënien me një aleat që administrata Trump e konsideron strategjik në arkitekturën e re të sigurisë.
Në këtë këndvështrim, debati mbi samitin e vitit 2027 shkon përtej Shqipërisë. Ai mund të jetë treguesi i parë i transformimit që po kalon vetë NATO.
Mark Rutte ka zgjedhur të ruajë kohezionin e Aleancës duke folur në gjuhën që Donald Trump kërkon të dëgjojë: rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe ndarjen më të madhe të barrës financiare mes aleatëve.
Por pas debateve mbi përqindjet e Prodhimit të Brendshëm Bruto fshihet një pyetje shumë më e madhe: a po hyn NATO në një epokë ku Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë më garantuesi automatik i sigurisë evropiane, por një partner që pret nga Evropa të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e saj?
Nëse samiti i vitit 2027 nuk do të zhvillohej në Shqipëri, kjo do të ishte shumë më tepër sesa një ndryshim protokollar në kalendarin e NATO-s.
Do të ishte një sinjal se tensionet politike brenda Aleancës kanë filluar të ndikojnë edhe vendimmarrjen strategjike.
Në një skenar të tillë, humbësi më i madh nuk do të ishte Tirana, por vetë imazhi i një Evrope që prej më shumë se shtatë dekadash e ka ndërtuar sigurinë mbi unitetin transatlantik.(AP)