...
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokoli Sadushi, në fjalën e mbajtur gjatë Konferencës Kombëtare për ndërveprimin e sistemit të drejtësisë me median, theksoi rëndësinë e thellimit të reflektimit mbi rolin dhe përgjegjësitë e çdo magjistrati në ushtrimin e detyrës së tij. Ai nënvizoi se çdo magjistrat duhet ta ushtrojë profesionin me profesionalizëm të lartë, integritet të plotë dhe vetëdije të qartë se drejtësia nuk mund të funksionojë e shkëputur nga besimi i publikut.
Sipas tij, ky besim përbën themelin mbi të cilin ndërtohet autoriteti i institucioneve të drejtësisë. “Magjistratët e rinj, hyrja në këtë profesion është pranimi i një përgjegjësie publike që kërkon dije, karakter dhe vetëdije për ndikimin që drejtësia ka në jetën e njerëzve”, deklaroi Sadushi, duke theksuar se rruga e drejtësisë është një angazhim afatgjatë dhe i vazhdueshëm.
Ai shtoi se dija juridike përbën vetëm hapin e parë të kësaj rruge profesionale, ndërsa sfida e vërtetë qëndron në aftësinë për të ruajtur të vërtetën dhe për të mos iu nënshtruar presioneve të momentit.
“Drejtësinë nuk e mbajnë në këmbë risitë e momentit, por vlerat mbi të cilat ajo ndërtohet”, u shpreh ai, duke theksuar se integriteti dhe parimet etike janë më të rëndësishme se çdo rrethanë e përkohshme.
Sadushi vuri në dukje gjithashtu se një nga cilësitë themelore të magjistratit është paanshmëria, e cila duhet të udhëheqë çdo vendimmarrje gjyqësore. Ai theksoi se pas çdo dosjeje gjyqësore qëndron një realitet njerëzor kompleks.
“Dokuptoni se dija juridike është vetëm fillimi i rrugës suaj. Dosjet që do keni përpara nuk janë vetëm akte procedurale; pas çdo dosjeje ka një njeri, një familje, një biznes, një interes publik, një ankth njerëzor që kërkon përgjigje”, tha Kreu i Gjykatës së Lartë.
Ai shtoi se vendimet më të vështira nuk janë ato ku ligji është i paqartë, por ato ku rrethanat njerëzore, presioni publik dhe pesha e pasojave e vënë gjyqtarin përballë sfidave të mëdha profesionale dhe morale.
Në këtë kontekst, Sadushi theksoi se cilësia më e rëndësishme e një magjistrati nuk është vetëm inteligjenca juridike, por aftësia për të mbetur i paanshëm dhe për të pranuar se askush nuk është i pagabueshëm. Ai shtoi se përulësia është një nga elementët më të rëndësishëm që duhet të shoqërojë dijen profesionale.
“Përulësia është shoqëruesja më e mirë e dijes”, u shpreh ai, duke e cilësuar këtë parim si themelor në ushtrimin e drejtë të detyrës.
Duke folur për marrëdhënien mes drejtësisë, medias dhe publikut, Sadushi theksoi se magjistratët veprojnë në një kohë ku informacioni përhapet shpejt dhe perceptimi publik shpesh formohet përpara vendimit institucional. Sipas tij, kjo nuk duhet të jetë burim frike, por vetëdije e shtuar për përgjegjësinë profesionale.
“Ju nuk do merrni vendime për të kënaqur opinionin publik, por për t’i shërbyer ligjit”, deklaroi ai, duke nënvizuar pavarësinë e sistemit gjyqësor nga presionet e jashtme.
Ai pranoi se në këtë profesion do të ketë momente vetmie dhe sfide, ku zhurma e jashtme nuk mund të ofrojë mbështetje reale. Megjithatë, sipas tij, forca e brendshme dhe qetësia profesionale janë elementët që e mbajnë të fortë një magjistrat.
“Ju do të ushtroni detyrën në një kohë kur fjala përhapet shpejt, perceptimi krijohet shpejt dhe gjykimi publik shpesh paraprin gjykimin institucional. Kjo nuk duhet t’ju trembë, por duhet t’ju bëjë të vetëdijshëm. Media, rrjetet sociale dhe teknologjia do të vijojnë të ndryshojë. Detyra e magjistratit, megjithatë, mbetet e njëjtë. Ju nuk do të merrni vendime për të kënaqur opinionin publik, por as për t’iu kundërvënë atij. Ju do të merrni vendime për t’i shërbyer ligjit. Ky mision nuk do të jetë gjithmonë i lehtë. Do të ketë ditë kur do të ndiheni vetëm, jo sepse nuk do të keni kolegë pranë, por sepse ka vendime që askush nuk mund t’i marrë në vendin tuaj. Në ato çaste nuk do t’ju ndihmojë zhurma që vjen nga jashtë, por qetësia që keni ndërtuar brenda vetes. Pikërisht aty matet edhe autoriteti i vërtetë i magjistratit.”, theksoi ai.